Auto & Moto

Pro paketës 56 miliardë dollarëshe që kompania të zhvendoset, aksionerët e Tesla-s mbështesin Elon Musk!

Aksionerët e Tesla-s po votojnë për të miratuar një paketë pagese prej 56 miliardë dollarësh për Elon Musk dhe për të zhvendosur shtëpinë ligjore të prodhuesit të automjeteve elektrike në Teksas, ka njoftuar CEO i saj. “Faleminderit për mbështetjen”-tha Musk. Bëhet e ditur se miratimi i aksionerëve mund të zbusë shqetësimet e investitorëve për të ardhmen e Musk në kompani.

Siç raportohet, rezultati do të shpallet në një takim në selinë e Tesla-s në Teksas. Por, thuhet se një kombinim i votave të investitorëve të mëdhenj institucionalë dhe votave të investitorëve me pakicë mori rezultatin ‘po’. Aksionarët e Tesla-s hodhën vota edhe për propozime të tjera, duke përfshirë lëvizjen e selisë së saj ligjore nga Delaware në Teksas, si dhe rizgjedhjen e dy anëtarëve të bordit; vëllait të Musk, Kimbal Musk dhe James Murdoch.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott e uroi Musk, duke thënë: “Mirë se erdhe në një shtet që nuk ka as tatim mbi të ardhurat personale dhe as të kompanive”. Disa investitorë e panë votimin për pagën e Musk si një provë besimi në udhëheqjen e tij.  Aksionet e Tesla-s kanë humbur gati 60% të vlerës nga viti 2021, kur Musk filloi të shesë miliarda dollarë të aksioneve të tij pjesërisht për të ndihmuar në financimin e blerjes së Twitter. Ai tani drejton gjashtë kompani, duke përfshirë ndërtuesin e raketave SpaceX, gjigantin e mediave sociale X dikur Twitter dhe kompaninë e inteligjencës artificiale xAI.

Musk ka kërcënuar se do të ndërtojë produkte AI dhe robotike jashtë Tesla-s, nëse nuk arrin të fitojë vota të mjaftueshme. Rikujtojmë se Tesla thuhet se ka aktivizuar dy robotë Optimus për të punuar në hapësirat e një fabrike të saj. Megjithatë është e paqartë se në cilën fabrikë po operojnë robotët apo çfarë detyrash po kryejnë. Në njoftimin më të fundit të fitimeve të Tesla në prill, Musk tha se Optimus do të jetë në gjendje të kryejë role në fabrikë deri në fund të vitit dhe mund të dalë në shitje deri në fund të 2025.