Një qytet japonez po shqyrton një propozim që do t’i kufizonte banorët në dy orë kohë para ekranit jashtë punës ose shkollës. Masafumi Koki, kryebashkiak i Toyoake në Prefekturën Aichi, njoftoi se asambleja e qytetit së shpejti do të votojë për një projekt që do t’i kufizonte banorët në dy orë kohë para smartfonëve, tabletëve dhe kompjuterëve jashtë punës dhe detyrimeve shkollore.
Por nuk do të ketë asnjë ndëshkim monetar ose penal për shkeljet. “Kufizimi i përdorimit të përditshëm të smartfonëve në dy orë është vetëm një udhëzues. Projektligji synon të promovojë masa për të parandaluar që banorët të vuajnë efekte negative në trupat dhe jetën e tyre të përditshme nga përdorimi i tepërt i telefonave inteligjentë.”-tha Koki.
Ekranet janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme. Nga email-et në laptop deri te rrjetet sociale në telefon, të rriturit kalojnë mesatarisht mbi gjashtë orë në ditë përpara ekraneve, rreth një e treta e kohës që jemi zgjuar. Kalimi drejt punës në distancë e ka përkeqësuar këtë fenomen. Takimet në Zoom, mesazhet në Slack apo dokumentet në Google nuk i japin syve asnjë pushim. Sipas optometristes Shahina Pardhan nga Universiteti Anglia Ruskin në Mbretërinë e Bashkuar, problemi kryesor është lodhja e muskujve të syrit.