Partia Demokratike ka bërë me dije se nuk do dërgojë përfaqësues të saj në protestën 17 tetorit që do të zhvillohet në Tiranë, në mbështetje të krerëvë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë.
Në një reagim PD thotë se arsyeja pse nuk do të marrë pjesë është prania e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, sipas demokratëve, është autor i një sërë goditjesh ndaj Kosovës.
“Ne e konsiderojmë Luftën e UÇK një luftë çlirimtare të një populli të pushtuar. I konsiderojmë të pafajshëm krerët e UÇK dhe shpresojmë e lutemi për pafajësinë e tyre. Por ne nuk mund të jemi bashkë me kreun e Narkos që i ka futur thika pas shpine Kosovës sa herë që i është dhënë mundësia, me atë që Kosovës i vendosi sanksione kur asnjë vend tjetër s’e sanksiononte. Ne nuk mund të jemi bashke me atë që Veriun e Kosovës e quajti “Tokë e Askujt”. Ne nuk mund të jemi bashkë me vëllain e Vuçiçit që për makiazh të imazhit të tij antishqiptar tenton të përdorë Luftën e UÇK e krerët e saj”,- thuhet në reagimin e PD-së.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka njoftuar se kryeministri Rama do të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare që do të mbahet me 17 tetor në orën 17:00 në Tiranë.
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati e bëri të ditur këtë në një konferencë për media, ku tregoi edhe se do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Po ashtu, Gucati tregoi se nga Kosova drejt Tiranës do të nisen 60 autobusë./sh.c