Aktualitet

Protesta e opozitës, Ambasada e SHBA-ve: Bëni kujdes!

Sot protesta e opozitës para Kryeministrisë, Ambasada e Uashingtonit në Tiranë iu bën thirrje qytetarëve amerikanë të kenë kujdes.

Ndërsa protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protesta mund të shtrihet në blloqet përreth dhe pranë godinave qeveritare, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i vazhdueshëm është shmangia e zonave të protestave. Nëse ndodheni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Forconi masat tuaja të sigurisë duke zbatuar zakonet e mëposhtme, thekson ambasada amerikane.

Opozita sot zhvillon protestën kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Policia e Shtetit ka një plan masash për mbarëvajtjen e tubimit të pasdites para Kryeministrisë. Forca të shumta policore do të jenë në gatishmëri për të siguruar mbarëvajtjen, me autobote dhe gjithashtu gaz lotsjellës nëse ka përplasje me protestues.

Policia iu drejtua me një shkresë PD-së duke i kërkuar përcaktimin e orarit të përfundimit të protestës. Po ashtu, PD-së i kërkohet moslejimi i personave të maskuar, çka do vështirësonte punën për identifikimin e tyre nëse përfshihen në akte dhune apo përplasje.

Prej mesnate u ndalua parkimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa nga ora 15:00, bllokohet totalisht qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga Ministria e Brendshme te sheshi “Nënë Tereza”). Po nga ora 15:00 bëhen të pakalueshme rrugët lidhëse: “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” e “Ismail Qemali”.