Aktualitet

Njoftimi i Ambasadës Amerikane për sulme nga Irani, ministri Lamallari: Lajmërim standard!

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari sot foli mbi progresin e Shqipërisë në negociata për anëtarësimin në BE, si edhe ritheksoi se Policia e Shtetit e të tjera struktura, prej kohësh kanë marrë masa duke rritur vigjilencën e gatishmërinë, përpara se Ambasada Amerikane në Tiranë, të bënte njoftimin, të cilësuar rutinë, për sulme të mundshme të Iranit drejt Shqipërisë.

Me përgjegjësi të plotë them se prej disa kohësh, Shqipëria ka marrë masat e nevojshme nga agjencitë ligjzbatuese në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Kemi bërë vlerësim të riskut, por edhe një plan masash lidhur jo vetëm me sigurinë publike në sheshe publike, por në të gjithë infrastrukturën kritike.

Policia e Shtetit është me masa të shtuara. Kjo ka ndodhur shumë kohë më parë. Duke marrë dhe pasur parasysh reagimin publik të Ambasadës, pata komunikim dhe kërkova nga strukturat e policisë, përfshirë drejtorinë Antiterror dhe Sigurinë Publike për të më informuar për masat dhe komunikimet që kanë pasur me përfaqësues të ambasadës.

Nga komunikimet që kanë pasur, u konfirmua se ky është një lajmërim standard që është bërë edhe në vende të tjera, dhe vlerësojnë bashkëpunimin e angazhimin e shtetit shqiptar për masat e shtuara të marra prej kohësh. Dezinformimi mund të cenojë ekonominë.