Aktualitet

Protesta e PD-së, Ambasada Gjermane: Dhuna, e papranueshme!

Ambasada e Gjermanisë në vendin tonë dënoi ashpër aktet e dhunës të regjistruara gjatë protestës së djeshme të Partisë Demokratike në Tiranë. Në një deklaratë zyrtare, selia diplomatike i cilëson “të papranueshme” sulmet me molotovë dhe mjete piroteknike ndaj institucioneve shtetërore e forcave të rendit, ku mbetën të lënduar gjashtë efektivë.

Protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike. Por ato nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve.

Thirrja drejtuar liderëve politikë

Diplomacia gjermane i bën thirrje lidershipit të Partisë Demokratike dhe forcave të tjera, organizatore të protestës, që të mbajnë përgjegjësi për mbarëvajtjen e tubimeve. Ambasada e Berlinit kërkon që përfaqësuesit politikë të distancohen “në mënyrë të paekuivoke” nga çdo akt dhune që minon rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve e policisë.

Ambasada Gjermane dënon dhunën e papranueshme në kuadër të demonstratave të djeshme. Protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike. Por ato nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve. Ne kërkojmë prej përfaqësuesve të partive politike përgjegjëse të distancohen në mënyrë të paekuivoke nga dhuna.