Rajoni

Protestat në Beograd, Vuçiç: E kemi kuptuar mesazhin!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha pas protestës së 15 marsit në Beograd se pushteti e ka kuptuar mesazhin.

“Të gjithë njerëzit në pushtet duhet ta kuptojnë mesazhin kur mblidhen kaq shumë njerëz. Ne do të duhet të ndryshojmë”, tha ai.

Megjithatë, Vuçiç vlerësoi se shumica e qytetarëve nuk duan “revolucion me ngjyra”.

Qeveria pretendon se protestat për tragjedinë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, janë përpjekje për një “revolucion me ngjyra” – gjë të cilën studentët protestues e mohojnë.

Vuçiç iu drejtua publikut pak orë pas përfundimit të një proteste të madhe në Beograd. Ai tha se 56 persona janë lënduar në protestë, por se askush nuk ka pësuar lëndime të rrezikshme për jetën. Sipas tij, 22 persona janë arrestuar për krime kundër pronës dhe për sulme ndaj policëve dhe personave të tjerë.

Shënohen incidente në protestën e të rinjve në Beograd. Ndërsa protesta ishte drejt mbylljes huliganë kanë qëlluar studentët të cilët donin të studionin në Pioneer Park.

Grupi i quajtur “Studentët 2.0”, që i kundërshton ata, raportohet të ketë gjuajtur me gurë dhe shishe në drejtim të tyre.

Përleshje ka pasur dhe pranë sheshit Nikola Pashiq ku një grup burrash rrahën një të ri.

Në videon e publikuar në rrjetin social X, por dhe në mediat serbe shihet një grup huliganësh duke rrahur organizatorët e protestës.

Ndërkohë përmes një reagimi ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se ka bërë thirrjen e fundit për ndalimin e menjëhershëm të të gjitha sulmeve dhe provokimeve ndaj punonjësve të policisë, në të kundërtën tha se policia do të ndërhyjë dhe do t’i mbrojë efektivët e saj konform ligjit.

Në deklaratë thuhet se disa incidente dhe përleshje kanë ndodhur në disa lokacione në qendër të Beogradit “midis disa pjesëmarrësve në protestë, të cilët sulmuan vazhdimisht policët, duke u përpjekur t’i pengojnë ata në kryerjen e detyrës”.