Bota

Protestat, Teherani kërcënon me shtypje të mëtejshme!

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten të larta, ndërsa politikanët e linjës së ashpër në Teheran kanë përsëritur retorikën armiqësore dhe kërcënimet se do të japin “ndëshkime të ashpra”, përfshirë mundësinë e ekzekutimeve ndaj protestuesve antiqeveritarë.

Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, i cili më herët konsiderohej si relativisht “i moderuar” në mesin e udhëheqësve të Iranit, paralajmëroi se një sulm ndaj liderit suprem të shtetit, ajatollah Ali Khameneit do të shkaktonte një luftë në shkallë të plotë.

Një sulm ndaj udhëheqësit të madh të shtetit tonë është i barasvlershëm me një luftë në shkallë të gjerë me kombin iranian, tha Pezeshkian përmes një postimi në rrjetet sociale.

Në një fjalim, Khamenei e vlerësoi rolin e Pezeshkianit në shtypjen e protestave të fundit, teksa pranoi se gjatë protestave janë vrarë “disa mijëra” persona. Presidenti amerikan, Donald Trump është kryesori në mesin e udhëheqësve perëndimorë që ka kritikuar regjimin iranian për shtypjen brutale të protestave antiqeveritare.

Presidenti Trump tha për “Politico”-n se Khamenei ishte fajtor për “shkatërrimin e plotë të vendit dhe përdorimin e dhunës në nivele të papara më parë”, duke shtuar se kishte ardhur koha për të kërkuar një “udhëheqje të re” në Iran.

Sfida e fundit nga qeverisë teokratike shpërtheu më 28 dhjetor të vitit 2025, me protestuesit që dolën në rrugë për shkak të krizës ekonomike, para se demonstratat të përhapeshin në shkallë më të gjerë.

Trump fillimisht kishte paralajmëruar se SHBA-të “ishte gati” për të vepruar nëse forcat iraniane të sigurisë do të vrisnin protestuesit. Më pas ai kërcënoi se do të ndërmerrte “veprime shumë të forta” nëse Irani do të ekzekutonte protestues pas raportimeve për planifikim të ekzekutimeve.

Më vonë, Trump njoftoi se po pezullonte planet një sulm pasi Irani kishte anuluar 800 ekzekutime, megjithëse Teherani nuk e ka konfirmuar këtë shifër dhe nuk ka treguar nëse planet për varjen e protestuesve janë anuluar krejtësisht.