Një anije turistike e braktisi në një ishull në Koralet e Mëdha të Australisë dhe gruaja 80 vjeçare u gjet e vdekur. Autoritetet australiane po hetojnë rastin, sipas BBC-së. Javën e kaluar, e moshuara ishte për një ekskursion në Ishullin Lizard, 250 km në veri të Cairns, bashkë me pasagjerë të tjerë në anijen turistike Coral Adventurer. Gjatë ekskursionit, u largua nga grupi dhe anija u largua pa të, duke e lënë të bllokuar në ishull.
Hetimet janë duke u zhvilluar. Kur ekuipazhi në bord kuptoi se gruaja ishte zhdukur, anija u kthye menjëherë në ishull, por e gjetën të vdekur. Autoriteti Australian i Sigurisë Detare (AMSA) tha se po heton dhe do të marrë në pyetje anëtarët e ekuipazhit të anijes sapo të ankorohet në Darwin, në ditët në vijim.
Aksidenti tragjik ndodhi në pjesën e parë të një udhëtimi 60-ditor me anije rreth Australisë, biletat e të cilit kushtojnë qindra mijëra dollarë. Sipas faqes së internetit të kompanisë, Coral Adventurer mund të akomodojë deri në 120 pasagjerë dhe 46 anëtarë të ekuipazhit.
Anija është projektuar posaçërisht për të arritur në zonat më të largëta të bregdetit australian dhe është e pajisur me “tenders”, anije të vogla që përdoren për të transportuar pasagjerë në udhëtime ditore. Policia e Queensland tha se do të përgatisë një raport për mjekun ligjor në lidhje me “vdekjen e papritur” të gruas.