Aktualitet

Reshjet e shiut shembin urën në Elbasan, izolohen 9 fshatra në Peqin!

Reshjet e shiut dhe era e fortë kanë përfshirë pasditen e sotme qarkun e Elbasan, duke sjellë probleme në disa akse rrugore dhe infrastrukturë.

Problematika kryesore është regjistruar në kthesat e Dragostunjës, ku si pasojë e reshjeve ka pasur rrëshqitje inertesh dhe aluvionesh në rrugë. Situata ka shkaktuar ngadalësim të qarkullimit të automjeteve, por pa ndërprerje totale të trafikut.

Në terren ndodhen forcat e Policisë e Shtetit dhe punonjës të firmës kontraktore, të cilët po punojnë për pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit.

Ndërkohë, në fshatin Sinaballaj të njësisë administrative Karinë, në bashkinë Peqin, është shembur një urë tip “Bailey”. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohen dëme në njerëz apo mjete.

Dyshohet se shembja ka ardhur si pasojë e kalimit të mjeteve të rënda gjatë natës.

Si pasojë e dëmtimit të urës, është ndërprerë qarkullimi për rreth 9 fshatra të zonës së Peqinit dhe disa zona të Rrogozhinës. Autoritetet po punojnë për hapjen e një kalimi të përkohshëm, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të lëvizjes së banorëve dhe mjeteve.