Dhjetëra norvegjezë menduan se ishin bërë milionerë pasi morën një njoftim nga kompania shtetërore e lojërave të fatit, ku thuhej se kishin fituar shuma marramendëse derisa doli se ishte një gabim. Kompania nuk pranoi të konfirmonte numrin e saktë të atyre që u prekën. Drejtoresha ekzekutive e Norsk Tipping, Tonje Sagstuen, kërkoi falje dhe dha dorëheqjen një ditë më vonë. Një gabim në konvertimin nga eurocentët në korona norvegjeze bëri që shumat e çmimeve të ishin “tepër të larta”, tha kompania.
Shuma u shumëzua me 100, në vend që të pjesëtohej me 100. Norsk Tipping merr shumat e çmimeve nga Gjermania në euro dhe më pas i konverton ato në korona norvegjeze. Shumat e sakta u përditësuan të shtunën në mbrëmje. Nuk u bënë pagesa të pasakta, tha kompania e lojërave të fatit. “Më vjen shumë keq që kemi zhgënjyer kaq shumë njerëz dhe e kuptoj që njerëzit janë të zemëruar me ne”-tha Sagstuen në një deklaratë, duke shtuar se kritika është e justifikuar duke pasur parasysh shkeljen e besimit.
Ajo tha se kishte marrë disa mesazhe nga njerëz që planifikonin të shkonin me pushime, të rinovonin shtëpitë e tyre ose të blinin një apartament. “Atyre mund t’u them vetëm: Më vjen keq! Por e kuptoj që është një ngushëllim i vogël”-tha ajo. Një grua, në mes të një projekti rinovimi, i tha NRK se kishte marrë një njoftim se kishte fituar 119,000 dollarë, por në vend të kësaj mori vetëm një pjesë të asaj shume. Bordi i Norsk Tipping u takua me Ministrinë e Kulturës, e cila administron drejtimin e kompanisë, për një takim urgjent të shtunën. Pas takimit, Sagstuen dha dorëheqjen nga roli i saj si CEO. Ajo e mbante këtë pozicion që nga shtatori i vitit 2023 dhe kishte punuar në Norsk Tipping që nga viti 2014.