Aktualitet Politikë

Rama: 9 Maji jo vetëm festa e Europës, por moment afërsie historike të Shqipërisë me BE-në!

Në podcast-in “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal te 9 Maji, Dita e Europës, duke theksuar se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë Bashkimit Europian.

Rama u shpreh se pas shumë dekadash, për herë të parë, rruga drejt BE-së nuk duket më si horizont i largët, por si një majë e kapshme dhe e arritshme në kohën që kemi në dispozicion.

Duke folur për ecurinë e negociatave, shefi i qeverisë theksoi se procesi ka avancuar me ritëm të shpejtë e kapitujt janë hapur në kohë rekord.

Marrëdhënia me BE-në ndërtohet ditë pas dite, me rezultate konkrete e tanimë, Komisioni Europian dhe vendet anëtare, përmes ambasadorit të tyre, janë në një fazë kyçe të procesit ku diskutojnë raportin e Komisionit, i cili nënvizon se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë dhe është e gatshme të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve.

Kjo nuk ka ardhur rastësisht. Ka ardhur  me punë, me rezultate dhe nga një proces transformues që vazhdon në çdo sektor.

Rama përmendi Reformën në Drejtësi, transformimin e administratës, digjitalizimin e shërbimeve, modernizimin e ekonomisë, investimet në energji e infrastrukturë, si dhe standardet e reja në sektorët strategjikë. Këtë rrugëtim, kryeministri e cilësoi “zinxhir të fortë të ndërtimit të shtetit europian të shqiptarëve”.

Nuk janë pjesë të shkëputura apo një listë fjalësh pas të cilave ka pak përmbajtje, por janë hallkat e një zinxhiri gjithnjë e më solid të ndërtimit të shtetit europian të shqiptarëve.

Në përfundim, Rama e lidhi 9 Majin me ndjenjën e krenarisë dhe angazhimit për të ecur përpara.

Për ne, 9 Maji nuk është vetëm festa e Europës, por është momenti kur marrim frymë me një ndjenjë legjitime krenarie dhe ecim përpara, për të arritur majën që tani është e arritshme me angazhim e vetëm me vullnet.