Në takimin në Durrës ku ka mbledhur kryetarët e të gjitha bashkive të vendit, kryeministri Edi Rama foli për performancën lokale dhe problemet që lidhen me ndërtimet pa leje. Rama theksoi se “ndërtimet pa leje në Theth janë një vepër penale e rëndë”, si dhe kritikoi ashpër dobësinë e strukturave përgjegjëse.
Ndërtimi pa leje në një zonë të mbrojtur si Thethi është një vepër penale e rëndë. Dobësia e madhe e IKMT-së apo e policive bashkiake mbetet një problem i madh. Janë struktura shumë problematike.
Për kritikat se qeveria është kujtuar vonë, Rama u shpreh se “lufta kundër ndërtimeve pa leje është një betejë e përditshme dhe kërkon funksionimin e të gjitha hallkave”.
Për të gjithë ata që thonë pse u kujtuat tani. Kjo është një betejë e përditshme dhe nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat, nuk ka rezultat. Në Theth po vijon një plan pune i përbashkët me Bashkinë e Shkodrës për legalizimin e ndërtimeve të vjetra dhe për kualifikimin urban të zonës.
Ndërkohë, shefi i qeverisë kritikoi kryetarin e Bashkisë Vlorë për zaptimin e hapësirave publike, ku tha se ai dhe struktura e qeverisjes vendore atje i kanë sytë gjysmë mbyllur.