Aktualitet Politikë Sociale

Rama: Nga janari 2026, paga minimale 500 euro!

Gjatë rubrikës “Sy m’Sy”, kryeministri Edi Rama tha sot se “paga minimale në Shqipëri do të arrijë në 500 euro, duke hyrë në fuqi nga janari 2026”. Sipas tij, kjo rritje e pagës minimale është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve ekonomike për punonjësit në vend.

Kur ne morëm detyrën, pagën mesatare në sektorin publik e kishim 372 euro, sot më 2024-ën e mbyllëm me 1 mijë euro pagën mesatare. Kemi bërë një rritje shumë të lartë, po të them që pagën mesatare të përgjithshme e kishim 322 euro dhe sot e kemi 830 euro e përgjithshmja. Pagën minimale e kishim 157 euro, e kemi 400 euro dhe në qershor do ta bëjmë 500 euro e do të futet në efekt nga janari 2026. Shumica e bizneseve e kanë shumë më të lartë pagën minimale sot.

Live me ndjekësit në rrjete sociale, në rubrikën “Sy m’Sy”, kryeministri Edi Rama tha se procedura për mbylljen e TikTok-ut ka përfunduar dhe iu bëri thirrje qytetarëve të mos përdorin VPN, pasi iu rrezikohen të dhënat.

Procedura për mbylljen e TikTok-ut ka përfunduar për telefonat smart dhe nga ana tjetër, mënyra për t’iu shmangur bllokimit duke përdorur VPN falas është shumë e rrezikshme pasi dihet botërisht se hacker-at bëjnë namin me grabitjen e të dhënave të telefonit. Mbajeni parasysh këtë gjë dhe duroni pa TikTok për ca kohë deri kur të përfundojmë programin e përbashkët me kompaninë, e cila do të vijë së shpejti në Shqipëri e do të paraqesë planin për adoleshentët.

Qeveria shqiptare e ka bërë të qartë se TikTok-u do të hapet menjëherë, sapo kompania kineze të vendosë filtra për mbrojtjen e të rinjve.

Ndërkaq, teksa po afrojnë zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Rama tha se me votën për PS-në, qytetarët sigurojnë se nuk do të kthehen më pas në kohën kur siç deklaroi “kishte drejtësi pazarxhinjsh”.

Shpata e ndëshkimit që në një vend normal, me barazi para ligjit është në dorën e “zonjës Drejtësi” ishte në këtë zyrë. E kishin trashëguar të gjithë të parët e kësaj pune, në mbretëri, diktaturë e demokraturë. Ajo shpatë edhe në kohën e  lirisë, pas komunizmit, goditi me urdhër nga këtu, nga maja e Piramidës, kryetarin e opozitës Fatos Nanon, i cili edhe u burgos. Kështu që lufta për drejtësi e shtet të së drejtës nuk është e thjeshtë, por e vështirë.

Por, ama kthesa është e dukshme, e prekshme, e vlerësuar lart edhe nga BE-ja, edhe nga familja e madhe të cilës ne duam t’i bashkohemi e nuk bashkohemi dot nëse nuk tregojmë se kemi barazi para ligjit. Kjo është bëma më e madhe dhe më historike e PS-së, e forcës që qeveris vendin pikërisht prej 2013-ës e që udhëhiqet nga unë, me vendosshmërinë më të madhe që drejtësia të bëjë drejtësi dhe që ky proces që ka filluar, të mos kthehet mbrapa.

Prandaj këmbëngul të votosh për mua dhe PS-në. Duhet të votosh me patjetër për arsyen të vetme që barazia para ligjit të mos vihet më në diskutim e që çfarë është nisur të mos përmbyset dhe të mos kthehet aty ku ishim, në llumin e një drejtësie pazarxhinjsh e vetëm drejtësi nuk ishte dhe nuk bënte.