Kryeministri Edi Rama iu bëri thirrje votuesve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Greqi e që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, të dorëzojnë zarfet me fletët e votimit në pikat përkatëse të DHL-së. Nëpërmjet një videomesazhi në rrjetet sociale, Rama thekson se votuesit nuk duhet ta lënë për në momentin e fundit dorëzimin e zarfit.
Desha të rindërhyj për t’ju dhënë një mesazh të gjithë shqiptarëve që janë regjistruar për zgjedhjet e 11 majit dhe që janë në Greqi dhe që ende nuk i kanë dorëzuar zarfet. Ju lutem zarfet i dorëzoni tek pikat përkatëse të postës DHL, mos prisni, dorëzojini, mos i lini për një momentin e fundit.
Shqiptarëve të regjistruar jashtë kufijve si zgjedhës të 11 Majit, Rama iu kërkoi që ta bëjnë këtë mund të fundit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, në mënyrë që të marrin pasaportën e Shqipërisë Europiane.
Ka akoma edhe pak kohë, janë 48 orë kështu që bëjeni këtë mund të fundit, këtë mund shumë të vogël në krahasim me gjithë mundimet e tjera që keni bërë për të ardhur deri këtu në këtë kohë, sepse 11 Maji është një takim me historinë, por njëkohësisht 11 Maji pikërisht sepse është një takim më historinë, është një moment zgjedhjeje për t’i dhënë një fuqi të re Shqipërisë dhe për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Duke bërë që secili dhe secila prej jush atje në Greqi, Itali, Gjermani a kudoqoftë, që nuk është akoma qytetar më të drejta të barabarta, sepse nuk e ka pasaportën përkatëse të vendit përkatës, por me pasaportën shqiptare mbetet një i huaj të marrë pasaportën e Shqipërisë Europiane dhe të këtë identitetin europian, jo vetëm me zakon se atë na e ka dhënë Zoti e nuk na e heq dot kush, se jemi një ndër popujt më të vjetër të këtij kontinenti dhe banojmë në zemër të tij, por edhe me ligj, me certifikatë, me pasaportë.
Një barazi e plotë që do të bëjë që të mos kemi më nevojë për asnjë lloj pasaporte tjetër për tërë jetën dhe t’u japim fëmijëve tanë në dorë atë që në breza, prindërit nuk ua dhanë dot fëmijëve dhe kur u bënë prindër nuk ua dhanë dot fëmijëve e kështu me radhë. Dokumentin që stërnipërit e Skënderbeut i vendos në të njëjtin nivel në të drejta dhe njëkohësisht në dinjitet europian me të gjithë sivëllezërit dhe motrat e tyre kudo që janë në këtë kontinent.