Bashkimi Evropian përmend se procesi i zgjerimit është duke u zhvilluar me ritmin më të shpejtë në 15 vjetët e fundit dhe që prej fillimit të vitit 2024 janë zhvilluar 11 konferenca ndërqeveritare, pesë prej tyre vetëm me Shqipërinë.
Shqipëria përmendet për përparim të madh në reforma dhe që ka arritur me shpejtësi të pashembullt që t’i hapë negociatat në pesë grupe kapitujsh.
Kjo reflekton përkushtimin e madh të Shqipërisë. Shqipëria ka vazhduar të shënojë përparim në reforma, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe me përfundimin e procesit të vetting-ut, përmendet në draft-raportin e 2024-ës të siguruar nga Radio Evropa e Lirë.
Nuk harrohen rezultatet e Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në rastet ndaj korrupsionit, bashkëpunimin aktiv ndërkombëtar kundër krimit të organizuar dhe zhvillimin e kapaciteteve për hetime financiare.
Ndër të tjera përmendet se tashmë Shqipëria e ka shprehur ambicien për t’i mbyllur të gjitha negociatat për anëtarësim më 2027-ën e që Komisioni Evropian është i përkushtuar në mbështetjen e shteteve në plotësimin e kushteve të domosdoshme për anëtarësim në BE dhe që procesi bazohet vetëm në parimin e meritave.
Sa u përket vendeve të tjera të Ballkanit, në raport përmendet edhe përparimi i dukshëm i Malit të ZI.
Mali i Zi përshkruhet si vendi që ka arritur përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit në BE me hapjen e pothuajse të gjithë kapitujve të nevojshëm dhe mbylljen e shtatë prej tyre.
Si Shqipëria, ashtu edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina janë lavdëruar për përputhjen e politikës së jashtme me atë të bllokut evropian.
Në pjesën për Maqedoninë e Veriut përmendet se ky shtet ende nuk i ka miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’i përfshirë në Kushtetutë edhe banorët që jetojnë në zonat kufitare dhe e identifikojnë veten me shtetësi tjera, përfshirë atë bullgare.
Përparimi i Kosovës në agjendën e Bashkimit Evropian është penguar nga politikat e brendshme përçarëse e nga ngërçi politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pavarësisht se Kosova është e përkushtuar në rrugën evropiane, me nivel të lartë të mbështetjes publike.
Kështu thuhet në draft Raportin e Progresit në pjesën për Kosovën për vitin 2024. BE-ja i përpilon këto raporte për vendet që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian. Në dallim nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova nuk e ka statusin e kandidates, ndonëse aplikoi për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022.