Politikë

Raporti i PE-së për Sazanin dhe Zvërnecin, PD jep tjetër variant për rezolutën: Europa mbështet protestuesit për zonat e mbrojtura!

Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama mbi raportin e Parlamentit Europian, ka reaguar kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili e ka interpretuar qëndrimin e eurodeputetëve si mbështetje për kërkesat e protestuesve kundër ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Sipas Bardhit, Parlamenti Europian ka mbajtur një qëndrim të unifikuar me qytetarët shqiptarë që kanë protestuar ditët e fundit, duke kërkuar shfuqizimin e dispozitave të ligjit për zonat e mbrojtura dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.

Ai thekson se amendamenti i miratuar në raportin për Shqipërinë ngre shqetësime serioze për zhvillimet në zonën e Vjosë-Nartës, si dhe për ndikimin që ndryshimet ligjore mund të kenë në ekosistemet e mbrojtura.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Parlamenti Evropian flet me një zë të unifikuar me qytetarët shqiptarë që protestojnë prej ditësh: të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27.

Por Edi Rama, që duket se ka humbur edhe sensin e të kuptuarit, bën sikur nuk di të lexojë.

Amendamenti shtesë i miratuar sot nga Parlamenti Evropian në Raportin për Shqipërinë:

* shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zonat me vlera të njohura ekologjike;

* shpreh se po ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim;

* u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të pajisjes me leje, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; dhe

* thekson se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.

Tani Edi Rama ka vetëm një detyrë: të dëgjojë zërin e eurodeputetëve dhe të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Projektligji është depozituar prej nesh në Kuvend prej një muaji dhe pret votën e deputetëve.