Aktualitet

Raporti i Prokurorisë: Shqipëria me nivel alarmant të paraburgimit në raport me BE-në!

Raporti vjetor i Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025 konfirmon se sistemi i drejtësisë në Shqipëri mbetet i varur nga “masat ekstreme” të sigurisë, duke tejkaluar ndjeshëm standardet europiane.

Ndonëse kërkesat për arrest me burg kanë pësuar rënie krahasuar me vitet 2007-2017, ato përbëjnë ende gjysmën e kërkesave totale të organit të akuzës.

Dokumenti pranon se prokurorët dhe gjyqtarët (të cilët miratojnë masat privuese në 51% të rasteve) vijojnë të jenë nën ndikimin e një qasjeje tradicionale drejt izolimit.

Raporti vëren se zbatimi i masave nuk ka siguruar mbrojtjen e duhur të të drejtave të njeriut. Për periudhën 2021–2025, vetëm 1.2% e çështjeve me “arrest në burg” janë pushuar, çka tregon se masa përdoret kryesisht për çështje që dërgohen në gjykim, por jo domosdoshmërisht me vendime fajësie të shpejta.

Për të adresuar këtë situatë, Prokuroria e Përgjithshme sugjeron ndryshime rrënjësore. Së pari, përcaktimi ligjor që arresti me burg të lejohet vetëm për vepra me nivel të lartë dënueshmërie, duke u përjashtuar kategorikisht për kundërvajtjet penale. Së dyti, fuqizimi i rregullimeve për përdorimin e teknologjisë si alternativë ndaj izolimit, sidomos për veprat në familje.

Për këtë problem ka dhe një orientimi nga Gjykata e Lartë, ku Kolegjet e Bashkuara kanë ndërhyrë tashmë për të rishikuar praktikën, duke orientuar sistemin drejt masave alternative të sigurimit.

Raporti bën thirrje për një balancë të re mes nevojës për siguri publike dhe respektimit të lirisë individuale, duke shmangur përdorimin e burgut si mjetin e parë të procedimit.

Diferenca me Europën në shifra

Statistikat tregojnë një hendek të thellë midis praktikës vendase dhe asaj ndërkombëtare:

Koeficienti i të paraburgosurve: Shqipëria numëron 110 të paraburgosur për 100,000 banorë, kundrejt mesatares europiane prej vetëm 41.
Popullsia e burgjeve: Rreth 58% e personave në burgjet shqiptare janë në pritje të një vendimi gjykate, një shifër kjo gati tri herë më e lartë se mesatarja e BE-së (21.7%).