Rajoni

Raporti për Kosovën, debatet Osmani-Bërnabiç në KS të OKB-së!

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vjosa Osmani tha se burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë “është Republika e Serbisë”. Ndërsa u përball me kryeministren serbe, Ana Bërnabiç, Osmani u shpreh se çfarë dëgjuan nga Serbia ishte minimizimi i aktit të agresionit. Ndërsa iu drejtua me një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, iu vuri në dukje se “Kosova është shtëpia e tyre”.

Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente, përmes së cilave të mund të shkatërrojë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojë të tentojë të shkatërrojë sovranitetin e integritetin tonë territorial. Kosova është e përkushtuar për paqe dhe mbetet e angazhuar për dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga dialogu, si mënyra për të zgjidhur dallimet mes nesh.

Serbia vazhdon të mohojë me forcë se ka qenë e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë kundër policisë së Kosovës e ku humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku. Edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kryeministrja Ana Bërnabiç përsëriti këtë qëndrim. Madje, referuar hetimeve, pretendoi se dy nga tre serbët që mbetën të vrarë, u ekzekutuan pasi u dorëzuan.

Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për ta vërtetuar këtë. Ngjarjet në Banjskë janë pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve.

Shefja e qeverisë së Beogradit akuzoi Kosovën se shpërfill zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Sipas saj, “themelimi i Asociacionit përbën kusht” për zbatimin e akordeve të tjerë nga serbët.

Por, qeveria e Kosovës druan se Asociacioni mund të cënojë funksionalitetin e shtetit.

Sipas kryeministres serbe, Kosova ka tre mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar.

Mesazhi i parë është që serbët e larguar nga Kosova pas luftës në vitin 1999, nuk janë të mirëpritur që të kthehen. Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë duhet të largohen dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”.

Sipas Bërnabiçit, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11% e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës. Ajo akuzoi Kosovën për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike.