Aktualitet Politikë

Raportuesi i PE-së për Shqipërinë, Schieder: Të fuqizohet lufta kundër korrupsionit!

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, mbajti një konferencë për shtyp në përfundim të misionit vjetor të mbledhjes së fakteve në vend. Teksa theksoi se Shqipëria ndodhet në fazë kritike sa i përket procesit të integrimit, vlerësoi angazhimin e fortë politik të institucioneve shqiptare për anëtarësim.

Shqipëria ndodhet në fazë kritike sa i përket integrimit në BE. Ndërmjet muajve mars dhe prill, Komisioni do të prezantojë një vlerësim të rëndësishëm. Në rast se shtetet anëtare në Këshill japin mbështetjen e tyre, kjo do të lejojë Shqipërinë të vijojë negociatat dhe më e rëndësishmja edhe të mbyllë kapitujt, u shpreh Schieder.

Eurodeputeti nënvizoi se disa hapa kritikë ende mbeten për t’u ndërmarrë, duke përfshirë fuqizimin e luftës kundër korrupsionit dhe financimin e mediave.

Disa hapa kritikë mbeten para nesh. Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit, të dekriminalizojë shpifjen dhe të sigurojë transparencën e pronësisë së medias dhe financimit të medias ndër të tjera.

Schieder u ndal edhe te Reforma në Drejtësi, duke e cilësuar si një nga shtyllat më të rëndësishme të procesit të integrimit. Ai theksoi mbështetjen ndaj punës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) e shtoi se është “thelbësore” që puna e këtij institucioni të mos ndërpritet nga aktorë të tjerë.

Ne kemi mirëpritur ecurinë që kemi parë për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe mbetemi në pritje të përfundimit të procesit sipas afatit. Ne mbështesim tërësisht punën e SPAK-ut për të sjellë edhe njëherë kulturën e integritetit e restaurimin e besimit të qytetarëve te institucionet publike. Është thelbësore që puna e SPAK-ut të mbetet e pandërprerë nga aktorë të tjerë dhe që institucionet e tjera, të mbështesin punën e SPAK.

Reforma në Drejtësi ka përmirësuar perceptimin publikut jashtë Shqipërisë e kjo është veçanërisht e rëndësishme. Ndaj çdo ndryshim që minon Reformën në Drejtësi dhe punën e SPAK-ut, mund të sjellë një dëm shumë të rëndë të reputacionit të Shqipërisë e mund të vërë në rrezik ndryshimin e këtij historiku që ka patur Shqipëria gjatë viteve të fundit.

Schieder i bëri thirrje aktorëve politikë në Shqipëri për dialog, teksa theksoi se partitë duhet të luftojnë me forcën e argumentit, jo me molotovë.

Si politikan, ti ke mendimin tënd personal, mendimin tënd politik, por duhet të përmbushësh edhe rolin tënd institucional. Ne si Parlament Europian mendojmë se ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëjë një hap përpara. Të mos traumatizohet gjithçka, të mos fillohet me kokteje molotovi, etj, por të luftohet fort me argumentime, me argumente të forta në skenën politike, aty ku duhet. Kjo vlen edhe për opozitën edhe për qeverinë. Mbi 90% e qytetarëve shqiptarë e duan anëtarësimin në BE dhe kjo është gjëja më e mirë që mund t’i tregojë Shqipëria Europës, që është një vend i bashkuar.

Shqipëria ka patur një ecuri madhore në negociata dhe në Konferencën Ndërqeveritare. Nëse vlerësimi i Komisionit do të ecë mirë në pranverë, Shqipëria do të fillojë të mbyllë kapituj. Për mbylljen e kapitujve nuk është puna vetëm te legjislacioni, ideja e miratimit të legjislacionit është që duhet t’i afrohemi standardeve europiane në zbatim.