E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë Rea Shena, menaxhere artistësh dhe rekrutuese talentesh. Ajo ka folur më shumë mbi famën dhe koston e të qenurit VIP…
Sa të paguar janë realisht VIP-at në Shqipëri?
Mendoj që fama në Shqipëri, padiskutim sjell të mira materiale. Ka goxha njerëz të famshëm apo influencer në Shqipëri që kanë një jetesë jashtëzakonisht shumë të mirë nga kjo, por do të thoja që këta njerëz janë shumë të pakët, me çfarë ne shohim vërdallë. Gjithë këto vajza shumë të bukura, por dhe djem së fundi, që po merren mirë me blogimin e me këto gjëra, që besoj nuk kanë të njëjtat të mira materiale si pjesa tjetër e tyre. Sepse pagesat, mendoj se janë shumë ndryshe se çfarë mendojmë ne se bëhet në botë dhe çfarë bëhet në Shqipëri.
Cila kategori e famës është ajo që të sjell më shumë para, muzika, televizioni, blogerimi?
Unë mendoj se muzika, sepse muzikantët kanë filluar të bëjnë goxha para me koncertet live, sepse janë të kërkuar. Janë të kërkuar nëpër club-e, sidomos pjesa e verës mendoj se u sjell shumë angazhime dhe sjell shumë gjëra të reja e të mira në jetën e tyre. Mendoj se muzika live apo dalja nëpër club-et e Shqipërisë, por dhe gjërat e tjera të organizuara nga Bashkia, apo gjëra të këtij lloji, u sjellin goxha të mira materiale.