Pirja e duhanit po rezulton të jetë një nga faktorët më të fortë të lidhur jo vetëm me sëmundjet e zemrës e të mushkërive, por edhe me rënien e flokëve dhe thinjen e parakohshme.
Një studim i ri ka ngritur shqetësim në komunitetin shkencor, duke treguar se kimikatet në cigare dëmtojnë drejtpërdrejt qarkullimin e gjakut dhe qelizat e folikulave të flokëve, shpesh në mënyrë të pakthyeshme.
Sipas studiuesve, pirja e duhanit ngushton enët e gjakut dhe redukton furnizimin me oksigjen dhe lëndë ushqyese drejt skalpit. Kjo pengon rritjen normale të flokut, çon në dobësim, hollim dhe rënie të hershme. Përveç kësaj, toksinat e tymit dëmtojnë ADN-në e qelizave të reja të flokëve, duke ndërprerë ciklin natyral të rritjes.
Edhe tek estetika goditja është e fortë: duhanpirësit rezultojnë rreth 2.5 herë më të predispozuar të thinjen më herët sesa ata që nuk pinë duhan.
Madje, rreziku rritet edhe te personat që mendojnë se “nuk pinë shumë”, por konsumojnë cigare rrallë, folikulat e flokëve janë shumë të ndjeshme ndaj toksinave, të cilat shkaktojnë stres oksidativ dhe humbje të pigmentit.
Ekspertët theksojnë se rënia e flokëve dhe thinja e parakohshme nuk prekin vetëm pamjen, por edhe shëndetin mendor, pasi shpesh shoqërohen me ulje të vetëbesimit dhe pakënaqësi me imazhin personal.
Mesazhi i shkencëtarëve është i drejtpërdrejtë: lënia e duhanit është një nga mënyrat më të shpejta dhe efektive për të mbrojtur jo vetëm zemrën dhe mushkëritë, por edhe shëndetin dhe pamjen e flokëve. Dhe, siç thonë vetë studiuesit, secili prej nesh e di mirë kujt mund t’ia përcjellë këtë paralajmërim.