Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj reperit Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik Fero, për tri vepra penale të rënda: dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje.
Sipas aktakuzës, ai akuzohet për ushtrimin e dhunës psikologjike dhe sjellje abuzive ndaj ish-bashkëshortes së tij, modeles Arbenita Ismajli, gjatë periudhës qershor-tetor 2024.
Dokumentet e siguruara nga Paparaci tregojnë se Fero ka fyer vazhdimisht Arbenitën dhe e ka shqetësuar përmes telefonatave të shpeshta, madje edhe gjatë takimeve për dorëzimin e fëmijës së tyre të përbashkët.
Me kon je tu fol… qoma shpejt… për çka i ke ly buzt?
-thuhet se i ka thënë ai në një rast, duke shkaktuar tek viktima ndjenja frike, dhimbje dhe shqetësim emocional të thellë.
Përveç dhunës në familje, Fero përballet edhe me akuza për ngacmim seksual, pasi dyshohet se e ka puthur ish-bashkëshorten kundër dëshirës së saj dhe i është drejtuar me fjalët:
Ti je gruaja jem, unë kam të drejtë me fjet me ty… nuk ki të drejtë mem than jo
Sipas Prokurorisë, situata në marrëdhënien e tyre bashkëshortore është përshkallëzuar ndjeshëm në shtator 2024.
Në këtë kohë, reperi thuhet se ka kaluar në kërcënime të rënda fizike dhe verbale.
Në aktakuzë thuhet se ai e ka kërcënuar Arbenitën përmes rrjetit WhatsApp, duke e ofenduar rëndë dhe më pas duke e kanosur:
Ke me ma ni krismën… të vraj… ta nxjerri shpirtin prej vendit… fëlqitë nga vendi t’i thej…
Prokuroria deklaron se këto veprime ishin të qëllimshme dhe të përsëritura, duke synuar frikësimin dhe nënshtrimin e viktimës. Procesi tashmë ka kaluar në fazën gjyqësore, ku pritet të shqyrtohen provat dhe të jepet një vendim përfundimtar mbi akuzat ndaj reperit.