Aktualitet

Reshje bore në zonat malore të Shkodrës, rrezik ngricash!

Bora vazhdon të bjerë në zonat malore të qarkut të Shkodrës, ndërsa temperaturat e ajrit mbeten të ulëta. Në Bogë e Theth, reshjet kanë intensitet të ulët, por për shkak të temperaturave të ulëta, rreziku i ngricave mbetet i pranishëm.

Mjetet borëpastruese të kompanive kontraktore të mirëmbajtjes së akseve rrugore janë në punë dhe po punojnë për të mundësuar lëvizjen e mjeteve.

Policia Rrugore apelon që qarkullimi në këto akse rrugore të bëhet me goma dimërore dhe zinxhirë, si dhe me kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Në një tjetër zhvillim të lidhur me motin, Kapiteneria e Portit Vlorë njofton se për shkak të përkeqësimit të situatës hidrometeorologjike detare u vendos ndalimi i nisjeve për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit që operojnë brenda Gjirit të Vlorës e në det të hapur. Ndërkaq, trageti i linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë ka anuluar mbërritjen e datës së nesërme.

Ky ndalim është në fuqi nga mesdita e sotme e deri në orën 06:00 të datës 26 janar 2026. Parashikimi i motit tregon erë me drejtim Jug–Juglindje, me forcë 7–8 ballë dhe dallgë me lartësi 2.50–4.00 metra.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse, ndërsa trageti i linjës Vlorë–Brindisi–Vlorë ka anuluar mbërritjen e datës 25 janar 2026.

Kapiteneria kërkon bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe për rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve.