Aktualitet

Reshjet e forta rrisin rrezikun e përmbytjeve në qarqet Durrës, Shkodër dhe Lezhë, paralajmëron IGJEO!

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEO) ka ngritur alarmin për rrezik përmbytjesh dhe rrëshqitjesh dherash në disa qarqe të vendit, si pasojë e reshjeve intensive dhe motit të paqëndrueshëm që ka përfshirë vendin gjatë kësaj fundjave.

Sipas të dhënave të institutit, reshje mesatare deri intensive janë regjistruar në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan.

Në disa zona, reshjet janë shoqëruar edhe me shtrëngata dhe shkarkesa elektrike, duke rritur rrezikun për përmbytje të lokalizuara, veçanërisht në zonat urbane me kanalizime problematike.

IGJEO paralajmëron se intensiteti i reshjeve mund të sjellë vërshime uji dhe përmbytje të pjesshme, kryesisht në qarqet Durrës, Shkodër dhe Lezhë, ku situata vlerësohet më problematike.

Sipas parashikimeve, era e fortë do të vijojë edhe gjatë orëve në vijim, sidomos në zonat bregdetare dhe ato të ulëta, ndërsa të dielën pritet një dobësim gradual i saj dhe një ulje e intensitetit të reshjeve në të gjithë vendin.

Temperaturat maksimale të së dielës pritet të arrijnë deri në 20°C në zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore minimalet mund të zbresin deri në 6°C.