Grupi i njohur pop i viteve 1990, Spice Girls, mund të ribashkohet së shpejti për të shënuar 30-vjetorin e grupit. Sipas mediave britanike, anëtaret e grupit po planifikojnë fshehurazi një turne të madh botëror, megjithëse Victoria Beckham nuk ka ndërmend të marrë pjesë në projekt për momentin. Katër anëtaret e mbetura; Geri Halliwell, Emma Bunton, Mel B dhe Mel C thuhet se do të takohen javën e ardhshme në Miami për të finalizuar detajet e rikthimit të tyre në skenë.
Pas muajsh spekulimesh rreth një ribashkimi të mundshëm, interesi për një rikthim të Spice Girls është shtuar pasi Geri dhe menaxheri i grupit Simon Fuller thuhet se kanë kontaktuar. Edhe pse Geri më parë e kishte refuzuar idenë për shkak të angazhimeve të saj të shumta, duket se tani rrethanat kanë ndryshuar. “Ka pasur thashetheme për muaj të tërë, por Geri ka qenë gjithmonë shumë e zënë me angazhime të tjera për të rënë dakord”,-tha një burim për The Sun.
Një burim pranë grupit zbuloi se Victoria është “mjaft e tërhequr”, por po merret në konsideratë një paraqitje e mundshme virtuale në formën e një avatari ose një performance të vetme, duke i bërë homazh ish-kolegëve të saj. Rikujtojmë që Spice Girls performuan së bashku për herë të fundit në vitin 2020, por edhe atëherë pa Victorian. Si një grup prej pesë vetash, ata u takuan për herë të fundit së bashku në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike të Londrës në vitin 2012.
Përveç turneut të planifikuar, një film biografik rreth grupit po përgatitet edhe për Netflix. Çdo anëtar duhej të fitonte një milion paund, por projekti u ndal përkohësisht pasi Geri thuhet se u largua për shkak të mosmarrëveshjeve me një anëtar tjetër. Megjithatë, një burim i tha The Sun se Netflix është ende duke planifikuar filmin dhe shpreson të përfshijë të pesë anëtarët.