Bota

Rihapet Aeroporti i Mynihut pas detektimit të dronëve!

Në Aeroportin e Mynihut në Gjermani sot rinisën fluturimet pasi mbrëmë u detektuan disa dronë që detyruan autoritetet të mbyllnin aeroportin gjatë natës. Ky është rasti i fundit në një seri mbylljesh të aeroporteve kohët e fundit në mbarë Europën e kjo për shkak të fluturimeve të dronëve të paidentifikuar.

Edhe aeroportet në Danimarkë, Norvegji e Poloni kanë pezulluar fluturime për shkak të dronëve të paidentifikuar, ndërsa Rumania dhe Estonia kanë fajësuar Rusinë për këto incidente. Moska i hedh poshtë akuzat. Më shumë se 30 fluturime u anuluan në Mynih për shkak të dronëve që u panë mbrëmjen e djeshme, duke lënë të bllokuar pothuajse 3 mijë pasagjerë.

Fluturimet rinisën mëngjesin e sotëm e sipas të dhënave të ueb-faqeve që gjurmojnë fluturimet, fluturimi i parë nga ky aeroport u realizua në orën 05:50. Një zëdhënës i policisë i tha më herët AFP-së se disa persona panë dronët përreth aeroportit në orën 19:30 të së enjtes dhe sërish një orë më vonë, duke detyruar autoritetet të ndalnin fluturimet. Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të identifikuar origjinën e dronëve.

Helikopterët e policisë u dislokuan pas detektimit të dronëve, por nuk ka informacione se çfarë lloji ishin e sa ishte numri i tyre. Detektimi i dronëve në Danimarkë dhe inkursioni i Moskës në Estoni dhe Poloni kanë rritur frikën se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të zgjerohet edhe në shtete të tjera të Evropës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi Europën dje se inkursionet e fundit me dronë tregojnë se Moska po synon që të “përshkallëzojë” agresionin. Gjermania është në gjendje të lartë gatishmërie pasi javën e kaluar raportoi se detektoi dronë mbi objekte ushtarake e industriale.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, u shpreh se Berlini ka nevojë “të gjejë përgjigje të reja për këtë kërcënim hibrid”, përfshirë rrëzimin potencial të dronëve. Gjatë kësaj jave, udhëheqësit e Bashkimit Europian u takuan në Kopenhagen për të diskutuar forcimin e mbrojtjes së bllokut e krijuar një “mur për dronët”. Rusia ka deklaruar se këto plane të BE-së do të përshkallëzojnë situatën.