Në një kohë ku gjithçka digjitalizohet, nga mesazhet e zemrës deri te listat e ushqimeve, një prirje e re po merr hov në botën e mirëqenies: shkrimi me dorë. E konsideruar dikur një praktikë e zakonshme, sot po rikthehet si një formë terapie dhe meditimi modern, që ndihmon në uljen e stresit dhe rritjen e fokusit.
Një sërë studimesh të fundit, përfshirë ato të realizuara nga University of Tokyo dhe University of California, kanë vërtetuar se:
Shkrimi me dorë përfshin më shumë zona të trurit sesa shtypja në tastierë. Aktivizohen zonat që lidhen me përqendrimin, kujtesën dhe kreativitetin. Edhe 10 minuta shkrim i lirë në ditar çdo ditë mund të përmirësojë ndjeshëm shëndetin mendor dhe qartësinë emocionale.
Në TikTok dhe Instagram, lëvizja #journaling ka eksploduar, vajza dhe djem në të gjithë botën ndajnë videot e ditarëve të tyre të ilustruar, që shpesh përfshijnë ngjitëse, vizatime, apo thjesht reflektime personale të sinqerta. Nuk ka rregulla, nuk ka gjykime, vetëm shprehje dhe ndjeshmëri. Ekspertët këshillojnë të filloni me një bllok të bukur, një stilolaps që ndiheni mirë me të dhe një cep të qetë në shtëpi.
Pyetje si “Si ndjehem sot?”, “Çfarë më bëri të buzëqesh?” ose “Çfarë dua të lë pas?” mund të shërbejnë si nxitje për të shkruar.
Ky akt i thjeshtë, por i fuqishëm, është si një ndalesë në trafik për mendjen, një moment reflektimi, vetëdijeje dhe rikthimi në trup. Në vend që të lejojmë që mendimet të na mbysin, ne i derdhim në letër dhe i lëmë të ikin. Në një epokë zhurme dhe shpërqendrimi, shkrimi me dorë është një rebelim i heshtur dhe i bukur, një kthim te vetja që nuk kërkon as internet, as ‘likes’, vetëm zemër dhe laps.