Sport

Rinovon Vasër, Ferrari: Ka hedhur themelet për t’u kthyer në majë!

Frederik Vasër ka rinovuar kontratën e tij me Ferrarin dhe do të vazhdojë si drejtor i ekipit me bazë në Maranelo. Pas javësh me thashetheme dhe dyshime, në prag të Çmimit të Madh të Hungarisë, skuderia italiane njoftoi rinovimin e kontratës me shefin francez:

“Ferrari ka kënaqësinë të njoftojë zgjatjen, me një kontratë shumëvjeçare, të marrëveshjes së saj me Fred Vasër, i cili do të vazhdojë si Drejtor i Ekipit për sezonet e ardhshme të Formula 1.
Fred iu bashkua skuderisë në fillim të vitit 2023, duke sjellë me vete përvojë të gjerë në sportin motorik dhe një aftësi të provuar për të zhvilluar talente dhe për të ndërtuar ekipe konkurruese në të gjitha nivelet e sportit motorik. Që atëherë, ai ka hedhur një themel të fortë me ambicien për ta rikthyer Ferrarin në majën e Formula 1. Rinovimi i kontratës së Fredit pasqyron vendosmërinë e Ferrarit për të ndërtuar mbi themelet e vendosura deri më tani. Aftësia e tij për të drejtuar nën presion, për të përqafuar inovacionin dhe për të ndjekur performancën është plotësisht në përputhje me vlerat dhe ambiciet afatgjata të Ferrarit. Nën udhëheqjen e Fredit, Skuderia Ferrari është e bashkuar, e fokusuar dhe e përkushtuar ndaj përmirësimit të vazhdueshëm. Besimi i vendosur tek ai pasqyron besimin e ekipit në drejtimin strategjik dhe përforcon vendosmërinë e përbashkët për të arritur rezultatet që tifozët, pilotët dhe anëtarët e ekipit të Ferrarit presin dhe meritojnë”, shkruhet në komunikatën e  së “kuqes” .

FLET VASËR – Pas rinovimit, kanë ardhur edhe fjalët e para nga vetë Frederik Vasër: “Jam mirënjohës ndaj Ferrarit për besimin që vazhdon të më japë. Ky rinovim nuk është vetëm një konfirmim, por një sfidë për të vazhduar të përparoj, të qëndroj i përqendruar dhe të jap gjithçka.

Gjatë 30 muajve të fundit, kemi hedhur themele të forta dhe tani duhet të ndërtojmë me qëndrueshmëri dhe vendosmëri. Ne e dimë se çfarë pritet prej nesh dhe të gjithë jemi plotësisht të përkushtuar për të përmbushur këto pritshmëri dhe për të bërë hapin tjetër përpara së bashku”, deklaroi drejtori francez.