Këngëtarja shqiptaro-britanike Rita Ora ishte një nga yjet që tërhoqën vëmendjen më të madhe në tapetin e kuq të edicionit 2025 të Red Sea International Film Festival, që po zhvillohet nga 4 deri më 13 dhjetor në distriktin historik Al-Balad të Jeddah, Arabinë Saudite.
Ngjarja e mbrëmjes së enjtes bashkoi emra të mëdhenj të Hollywood-it, Bollywood-it dhe industrive filmike të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, përfshirë fituesin e Oskarit Adrien Brody, aktoret amerikane Queen Latifah, Kirsten Dunst, Jessica Alba dhe Uma Thurman, yllin kubano-spanjoll Ana de Armas, aktorin britanik Daniel Kaluuya, si dhe Rita Orën.
Nga Lindja e Mesme, Sarah Taibah, Zeina Makki dhe Hanaa Mansour ishin gjithashtu pjesë e ngjarjes.
Rita Ora tërhoqi vëmendjen me një fustan të zi elegant dhe prerje të guximshme, ndërsa flokët i kishte kapur lart, duke i dhënë pamjes një prekje klasike dhe të sofistikuar. Fotot e publikuara tregojnë stilin e lartë dhe karizmën e saj të veçantë, që e shoqëron kudo ku shfaqet.
Red Sea International Film Festival ofron një platformë ndërkombëtare për promovimin e filmave nga e gjithë bota, duke nxjerrë në pah talentet më të spikatura dhe duke krijuar mundësi bashkëpunimi mes industrive filmike nga rajone të ndryshme.