Rita Ora, këngëtarja shqiptare me famë botërore, i është bashkuar fushatës dimërore të Even Standard, e cila synon të ndihmojë refugjatët, personat që flenë në rrugë dhe ata që përballen me pasiguri ushqimore në Londër.
Nismën po e mbështet edhe organizata Comic Relief, që ka premtuar 500,000 funte (rreth 566,000 euro) për nisjen e fushatës.
Në një intervistë për Even Standard, Rita rikthehet te rrënjët e saj dhe tregon historinë e familjes që u largua nga Kosova kur ajo ishte fëmijë, për t’i shpëtuar përndjekjes ndaj shqiptarëve dhe për të gjetur siguri në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo thotë se përvoja si refugjate e ka formuar thellësisht si njeri dhe artiste.
Rritja si një fëmijë refugjat formoi gjithçka që jam
-rrëfen Rita, duke kujtuar se prindërit e lanë pas gjithë jetën e tyre për një fillim të ri.
Nëna e saj, psikiatre në Kosovë, u detyrua të mësonte anglishten dhe të ri-specializohej në Britani, ndërsa i ati punonte netëve të gjata për të siguruar të ardhmen e familjes.
Guximi i tyre ndërtoi themelin e gjithë jetës time, dhe muzika u bë strehimi im
-shprehet ajo.
Këngëtarja thekson edhe rolin kyç të mikpritjes që familja e saj mori në fillimet e vështira në Londër.
Sipas saj, njerëzit që i pritën i bënë të ndiheshin të pranuar dhe pjesë e një komuniteti, diçka që i ka lënë gjurmë të forta në jetë.
Më mësuan se të ndihesh pjesë e një komuniteti nuk është diçka që thjesht të jepet. Është diçka që e ndërtojmë së bashku, përmes dhembshurisë dhe hapjes ndaj të tjerëve
-thotë Rita.
Intervista e saj vë në qendër jo vetëm rëndësinë e mbështetjes konkrete për refugjatët dhe njerëzit e pastrehë, por edhe fuqinë e rrëfimeve personale që ndihmojnë shoqërinë të kuptojë më mirë sfidat, sakrificat dhe kontributin e tyre.
Përmes angazhimit në këtë fushatë, Rita Ora synon që zëri i më të cenueshmëve në Londër refugjatëve, të pastrehëve dhe atyre që luftojnë për një vakt të sigurt, të dëgjohet më fort, duke i kthyer përvojat e saj të vështira të fëmijërisë në burim force dhe frymëzimi për të tjerët.