Anëtarët evropianë të NATO-s njoftuan forcimin e krahut lindor, pasi hapësira ajrore e Polonisë u shkel nga dronë rusë, çka rriti tensionet. Aleanca Veri-Atlantike prezantoi “Rojën Lindore”, çka përfshin dislokimin e pajisjeve shtesë ushtarake nga Britania e Madhe, Danimarka, Franca e Gjermania, me qëllim parandalimin e një agresioni të mundshëm rus.
Ky aktivitet shumëdimensional që pritet të fillojë të zbatohet në ditët e ardhshme për të vazhduar për një periudhë kohore, është përgjigje ndaj shkeljeve të vazhdueshme të hapësirës ajrore, përfshirë dronët e shumtë rusë që shkelën hapësirën ajrore të Polonisë më 10 shtator. Çelësi për këtë është një model krejtësisht i ri mbrojtjeje, u shpreh gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, komandanti suprem i NATO-s për Evropën, i cili foli në një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e NATO-s, Mark Rutte në Bruksel.
Grynkewich vuri në dukje se pajisjet e reja do të përfshijnë avionët luftarakë francezë Rafale, F-16 danezë, një fregatë dhe sisteme tokësore të mbrojtjes që më parë ishin zotuar se do të dërgoheshin në rajon. Gazetarëve iu tha se aleanca ushtarake do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj.
Polonia dhe qytetarët nga e gjithë aleanca duhet të ndihen të sigurt nga reagimi ynë i shpejtë më herët këtë javë dhe nga njoftimi ynë i rëndësishëm.
Veprimet e fundit të Moskës, Rutte i quajti “të pamatura e të papranueshme”.
Ne nuk mund të lejojmë që dronët rusë të hyjnë në hapësirën ajrore të aleatëve.
Ndërkaq, presidenti francez Emmanuel Macron, deklaroi:
Siguria e kontinentit evropian është prioriteti ynë kryesor. Ne nuk do t’i nënshtrohemi frikësimit në rritje të Rusisë.
Në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ushtruesja e detyrës së ambasadorit të SHBA-ve, Dorothy Shea, tha:
Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë aleatëve tanë të NATO-s përballë këtyre shkeljeve alarmante të hapësirës ajrore… dhe të jeni të sigurt, ne do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Sulmet e intensifikuara të Rusisë ndaj Ukrainës dhe shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë pas samitit të Alaskës më 15 gusht mes presidentit amerikan, Donald Trump e atij rus, Vladimir Putin, tregojnë, me ose pa qëllim, një mungesë të madhe respekti ndaj përpjekjeve në mirëbesim të SHBA-ve për t’i dhënë fund këtij konflikti.