Health & Beauty Lifestyle Live From Tirana

Roli që pandemia ka luajtur në çrregullimet mendore/Për këtë na flet më shumë psikologia Enila Cenko!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio psikologia Enila Cenko për të na folur rreth një teme shumë delikate që shoqëria jonë është duke përjetuar kohët e fundit, atë të depresionit. Fillimisht nga ta dallojmë depresionin nga një mërzi e momentit?

Shumë njerëz në stinën e dimrit dhe si pasojë e koronavirusit përjetojnë gjëndje mërzie, rënie energjie dhe shqetësime të tjera. Depresioni është ndryshe nga gjenda e zakonshme e mërzisë. Në kontekstin klinik individi me depresion përjeton simptoma në një periudhe kohore 2 javore. Shihet një rënie e interesit për të ndërvepruar me të tjerët, për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, ka çregullim gjumi, çregullim të të ngrenit dhe në raste më të rënda mendime negative për të dëmtuar veten.

Ka kohë të mira pas depresionit?

Depresioni është i trajtueshëm dhe për shumicën e njerëzve ka dritë në fund të tunelit. Procesi mund të jetë i gjatë por i rikuperueshëm.

Çfarë roli ka luajtur pandemia në çrregullimet mendore?

OBSH ka paralajmëruar që pandemia e rradhës është pandemia e shëndetit mendor sepse situata me COVID-19 ka sjellë pasiguri për jetën dhe ka ndryshuar mënyrën si ne jetojmë, të gjitha aspektet e funksionimit tonë, duke nisur nga izolimi social, kalimi i të punuarit nga zyra në shtëpi, mësimi online, etj. Frika më e madhe që ne përjetojmë është frika për jetën, për shëndetin tonë dhe koronavirusi ka aktivizuar një ndjenjë ku ti nuk parashikon dot të ardhmen. Shumë prej nesh jemi në një situatë ku ndjehemi të pasigurt, të çorientuar, përpjekjet tona kanë dalë jashtë kontrollit. Është momenti për ta riformatuar jetën tonë në mënyra më të shëndetshme.

A mendoni që në Shqipëri njerëzit kanë filluar të jenë më të hapur në lidhje me çrregullimet e shëndetit mendor?

Stigmën ndaj psikoterapisë e përjetojmë shpesh por në këto momente njerëzit e ndjejnë t’i drejtohen psikologëve, psikiatërve, një hap pozitiv për shoqërinë tonë. Moshat e reja, adoleshentët janë më të hapur për të kërkuar ndihmë. E shikojnë me më pak mosbesim se moshat e rritura. E rëndësishme është të këtë më shumë promovim dhe ndërgjegjësim për rolin e psikologut. Për njerëzit që përjetojnë këto situata vjen një moment që duan një zgjidhje dhe janë të gatshëm për takime me psikiatër për t’u rikthyer në funksionimin e tyre normal.