Piloti 41-vjeçar ndodhet aktualisht në Bahrein për testimet parasezonale të Formula 1, ku u përball me pyetje nga gazetarët për paraqitjen e tij së bashku me yllin amerikan në Super Bowl LX, më 8 shkurt.
I pyetur nëse kishte shijuar më shumë shoqërinë sesa ndeshjen, Hamilton u përgjigj shkurt:
Është jeta ime private. Nuk po flas për këtë.
Gazetari i Sky Sports, Ted Kravitz, ndau momentin në rrjetet sociale, duke theksuar se kampioni i Formula 1 nuk kishte ndërmend të jepte detaje për çështje personale.
Spekulimet për një romancë mes Hamilton dhe Kardashian, 45 vjeç, janë shtuar pasi ata janë parë disa herë bashkë kohët e fundit.
Fillimisht u panë në Paris në fillim të shkurtit, në atë që burime pranë tyre e cilësuan si një takim romantik, ndërsa më pas u fotografuan të ulur pranë njëri-tjetrit në një suitë në stadiumin Levi’s gjatë Super Bowl-it, ku të pranishme ishin edhe Kendall Jenner dhe Hailey Bieber.
Sipas mediave amerikane, Kardashian ndihet mirë në shoqërinë e Hamilton dhe po e shijon kohën me të, pa ushtruar presion për të ardhmen.
Ndërkohë, piloti duket i vendosur të mbajë larg vëmendjes mediatike çdo aspekt të jetës së tij personale, duke u fokusuar në sezonin e ri të Formula 1 me Ferrarin.