Bota

Rritja e shpenzimeve për mbrojtje, kryefjala e samitit të NATO-s në Hagë!

Liderët e vendeve të NATO-s mblidhen në Hagë nesër e të mërkurën për samitin e përvitshëm të aleancës. Në axhendë është pothuajse vetëm një gjë: Shpenzimet për mbrojtje. Dje, vendet anëtare ranë dakord t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kërkesë e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka kërkuar më shumë kontribut prej tyre.

Spanja tentoi ta bllokojë, por hoqi dorë pasi vendet e tjera i siguruan përjashtim nga vendimi. Në këtë samit, sytë janë te presidenti Trump, nëse do të marrë pjesë. Gjasat janë se po. Samiti organizohet për ta bërë presidentin amerikan të ndihet mirë e të shmanget ndonjë mungesë harmonie.

Ende ekzistojnë shqetësime për përsëritje të samitit të famshëm të NATO-s, të mbajtur në Bruksel më 2018-ën, kur Trump, i cili ishte në mandatin e parë, pati kërcënuar me tërheqje të SHBA-ve prej Aleancës Veri-Atlantike, nëse shtetet europiane dhe Kanadaja nuk i rrisin shpenzimet për mbrojtje në mënyrë të konsiderueshme.

Prej atëherë, shumica e aleatëve i kanë rritur shpenzimet për mbrojtje dhe tani prekin kufirin prej 2%, siç ranë dakord në Uells më 2014-ën. Targeti besohet të jetë rritur për t’iu përshtatur SHBA-ve, si edhe për shkak të luftës në Ukrainë.

Në takimin që nis nesër, liderët duhet të bien dakord mbi të ashtuquajturën Deklaratë të Hagës. Ky dokument nuk është finalizuar ende, por disa drafte që i ka parë Radio Evropa e Lirë sinjalizojnë se do të jetë i shkurtër.

Deri tani, tekstet e samiteve kanë qenë disa faqe, duke prekur pothuajse të gjitha politikat e aleancës, por ky i radhës mund të përfundojë me vetëm 5 paragrafë.

Vitin e kaluar ishin 38 paragrafë, plus një aneks prej 6 pikash që përmendnin ndihmën për Ukrainën në fushën e sigurisë. Gjëja kryesore është targeti prej 5% në shpenzime dhe kur duhet të arrihet.

Siç u propozua nga Sekretari i Përgjithshëm, Rutte, përfshin 3.5% shpenzime për pajisje të rënda ushtarake, sikurse janë raketat, helikopterët e avionët luftarakë. Pjesa tjetër prej 1.5% do të shkojë në “qëndrueshmëri”, term që është lënë me qëllim i paqartë për shumicën e vendeve, se në këtë pikë mund të përfshihet gjithçka.

Shumica duket se do të shpenzojnë në infrastrukturë, me qëllim përmirësimin e lëvizshmërisë ushtarake. Aty do të mund të përfshihen edhe kontributet për Kievin, meqë në dokument përmendet:

Aleatët rikonfirmojnë përkushtimin e tyre për të ofruar mbështetje për Ukrainën dhe në këtë drejtim do të përfshijnë kontribute direkte në industrinë ukrainase të mbrojtjes përgjatë llogaritjeve të shpenzimeve të Aleancës.