Një operacion i përbashkët mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese amerikane ka zbuluar dhe shkatërruar një rrjet të organizuar kontrabande të qenieve njerëzore, që shtrihej nga Shqipëria deri në Amerikën e Veriut.
Ky aksion, i koduar “Rrjeti”, përfundoi me arrestimin e tre personave: 62-vjeçarit Cerkez N., 58-vjeçarit Hazir M. dhe Ardjan P. Nga hetimet disamujore rezultoi se “truri” i skemës ishte 58-vjeçari, i cili siguronte dokumente të falsifikuara dhe, kundrejt pagesave që varionin nga 20 deri në 35 mijë dollarë, garantonte kalimin ilegal të shtetasve shqiptarë drejt Kanadasë dhe SHBA-së.
Sipas policisë, udhëtimi kryhej fillimisht me dokumente false drejt disa vendeve të Bashkimit Europian, më pas në shtete të ndryshme të Karaibeve, për të mbërritur në destinacionin final Amerikën e Veriut.
Gjatë operacionit u sekuestruan shuma të konsiderueshme parash, dokumente të falsifikuara dhe prova të tjera me interes për hetimin.