Blerja e rrobave dhe sendeve të përdorura është kthyer në trend vitet e fundit, jo vetëm si mënyrë kursimi, por edhe si zgjedhje e qëndrueshme për mjedisin.
Dyqanet “second hand” ofrojnë rroba unike, mobilie apo libra të rrallë, por shpesh me to mund të sillni edhe “mysafirë” të padëshiruar në shtëpi – si mola, insekte të vegjël, pleshta apo madje edhe spore myku.
Ekspertët rekomandojnë një zgjidhje të thjeshtë dhe të sigurt: ngrirjen e sendeve përpara përdorimit.
Sipas revistës “Better Homes & Gardens”, kjo metodë shkatërron vezët dhe larvat e parazitëve pa përdorur kimikate agresive dhe pa dëmtuar materialet.
-Rroba e lodra pelushi: vendosini në qese plastike hermetike dhe mbajini në ngrirje për 48-72 orë.
-Libra e dokumente të vjetra: ngrirja për një javë ndihmon të zhduken insektet që ushqehen me letër dhe të parandalohet myku.
-Këpucë dhe aksesorë mode: pas pastrimit sipërfaqësor, futini në ngrirje për 2-3 ditë për të neutralizuar bakteret, kërpudhat dhe erërat e pakëndshme.
Kjo teknikë përdoret edhe nga muzetë dhe arkivat për ruajtjen e objekteve me vlerë, duke e bërë një praktikë të thjeshtë, por tepër efektive për këdo që dëshiron t’i japë një jetë të re sendeve të dorës së dytë, në mënyrë të sigurt dhe higjienike.
Pra, para se të vishni një pallto të re nga “second hand” ose të vendosni në raft një libër të vjetër, ngrirja mund të jetë hapi i parë për ta bërë atë me të vërtetë të pastër.