Bota

Rusia vazhdon sulmet në Ukrainë, tre të vrarë në Pavlohrad!

Të paktën tre persona, mes tyre një fëmijë u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën nga një sulm rus në qytetin ukrainas Pavlohrad. Ky sulm vjen një ditë pasi një tjetër goditje e Rusisë me dronë dhe raketa shkaktoi 12 viktima në Kiev. Më herët, presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje kolegut rus, Vladimir Putin, t’i ndalë sulmet në Ukrainë.

Agresori përsëri kreu një sulm masiv me dronë në rajon, theksoi në Telegram Serhiy Lysak, guvernator i Dnipropetrovskit, duke shtuar se 11 dronë u shkatërruan mbi këtë rajon qendror.

Lysak bëri të ditur se kanë shpërthyer disa zjarre në qytet, si dhe publikoi foto të një ndërtese shumëkatëshe të përfshirë nga zjarri në disa kate. Ai shtoi se gjashtë nga të plagosurit u shtruan në spital, ndërsa dy të tjerë, përfshirë një vajzë 15-vjeçare, morën trajtim në vendngjarje.

Fatkeqësisht, tashmë janë tre të vdekur në Pavlohrad. Ndër ta është edhe një fëmijë, siç raportoi në një përditësim të mëvonshëm.  Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia ka lëshuar 103 dronë në sulmet gjatë natës në mbarë Ukrainën, duke shkaktuar dëme në pesë rajone. Qyteti industrial i Pavlohradit kishte një popullsi prej rreth 100 mijë banorësh para luftës. Ai është një qendër e rëndësishme hekurudhore për rajonin e Dnipropetrovskit, pasi e lidh me pjesën lindore të Ukrainës.

Qyteti verilindor i Ukrainës, Harkiv, gjithashtu ishte në shënjestër të sulmeve me dronë, sipas komenteve të kryetarit të bashkisë, Ihor Terekhov, duke shtuar se referuar informacionit paraprak, disa objekte private janë dëmtuar.

Sulmi i djeshëm në Kiev, e nxiti presidentin amerikan Trump që si rrallëherë ta kritikojë Putinin.

Nuk jam i lumtur me sulmet ruse në Kiev. Nuk ishin të nevojshme dhe nuk duhej që të ndodhnin tani. Vladimir, ndalu! Po vdesin 5 mijë ushtarë në javë. Eja që të bëjmë një marrëveshje për paqe.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërpreu një vizitë zyrtare në Afrikën e Jugut, për shkak të sulmeve në Kiev.

Nëse Rusia dëshiron një armëpushim, atëherë duhet të ndalë sulme të tilla masive, u shpreh Zelensky teksa foli në Afrikën e Jugut, para se të nisej drejt Ukrainës.