Bota

Viktima nga sulmet ruse në kryeqytetin Kiev!

Të paktën nëntë njerëz u vranë si pasojë e sulmeve të Rusisë me dronë dhe raketa në Kiev. Goditjet ndodhën vetëm pak orë pasi zyrtarët thanë se është shënuar përparim drejt përfundimit të luftës gjatë bisedimeve të mbajtura në Londër mes përfaqësuesve të SHBA-ve, Europës dhe Ukrainës. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave raportoi se 63 vetë u plagosën, mes tyre gjashtë fëmijë.

Rusia kreu sulm të kombinuar masiv në Kiev. Objekte banimi pësuan dëme dhe vazhdojnë kërkimet për njerëz nën rrënoja.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Harkivit, Ihor Terekhov, tha se edhe qyteti verilindor u sulmua nga Rusia. Shtatë raketa goditën qytetin. Këto sulme filluan vetëm disa orë pasi përfunduan bisedimet në Londër dhe kur presidenti amerikan, Donald Trump, theksoi se mendon se ka arritur marrëveshje me presidentin rus, Vladimir Putin e atë të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për t’i dhënë fund luftës.

Mendoj se Rusia është gati. Shumë njerëz kanë deklaruar se Rusia donte të merrte gjithçka. Unë mendoj se kemi marrëveshje me Moskën. Tani duhet të arrijmë marrëveshje edhe me Zelensky-n.

Trump shtoi se e kishte më të vështirë seç kishte pritur që të bashkëpunonte me Zelensky-n.

Mendoja se do të ishte më e lehtë të merresha me Zelensky-n. Deri tani, ka qenë më e vështirë. Por, mendoj se kemi marrëveshje me të dy.

I pyetur për raportimet në lidhje me një propozim amerikan që Krimea të njihet si territor i Rusisë, Trump tha se “nuk ka të preferuar” mes Ukrainës dhe Rusisë e se dëshiron vetëm që lufta të përfundojë. Më herët, të tjerë zyrtarë të administratës amerikane deklaruan se ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje dhe se Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen nga bisedimet për paqe, nëse nuk ka përparim të shpejtë.

Zelensky, i cili e ka hedhur poshtë propozimin për Krimenë, tha se emocionet kanë qenë “të larta” në Londër, por shtoi se takimi mes përfaqësuesve nga pesë vendeve ishte gjë pozitive.

Pala amerikane ndau vizionin e saj. Ukraina dhe vendet e tjera europiane paraqitën qëndrimet e tyre. Shpresojmë që pikërisht kjo punë e përbashkët do të çojë në paqe të qëndrueshme, shkroi Zelensky në X.

Trump paralajmëroi Ukrainën se duhet të bëjë marrëveshje për ta përfunduar luftën, duke e kritikuar ashpër Zelensky-n për deklaratën se njohja e Krimesë si pjesë e Rusisë është e papranueshme për Kievin. Bisedimet në Londër po përballen me pengesa serioze pasi diplomatët kryesorë, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, u tërhoqën, duke e ulur rëndësinë e takimit.

Një zëdhënës i kryeministrit britanik Keir Starmer tha se bisedimet përfshinin “takime teknike thelbësore me zyrtarë europianë, amerikanë dhe ukrainas, mbi mënyrën se si të ndalet lufta” e nisur nga Rusia në vitin 2022.

Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë dhe këto bisedime janë një pjesë e rëndësishme e këtij procesi.

Keith Kellogg, i dërguari i Trump-it për Ukrainën, i vlerësoi bisedimet si “pozitive”.