Food & Drink Lifestyle

Sa kafe duhet të pijmë në ditë? Ekspertja: Përveç mëngjesit, mos pini kafe pasdite…

E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Anisa Peti, e cila është e njohur në rrjete sociale për recetat e çuditshme të bëra me kafe. Ajo ka zbuluar më shumë fakte lidhur mbi kafen që jo çdokush i di…

Sa kafe duhet të pijmë në ditë, apo është individuale?

Është komplet individuale. Ti duhet të pish aq kafe sa të pranon ty organizmi. Në rast se ti e tejkalon masën e kafes dhe nuk ndihesh mirë, ose shikon që fillon të kesh ankth ose dridhesh, qëndro tek limiti yt, mos e kalo. Mos u përpiq ta trajnosh me zor trupin kur nuk ta pranon. Unë personalisht pi deri në 5 kafe maksimumi, nuk pi çdo ditë 5 kafe. Ka pasur raste që kam pirë edhe më tepër, pasi kështu ma kërkon profesioni, por mua më është mësuar organizmi dhe nëse nuk do ma toleronte të pija 5 kafe, nuk do isha fare në këtë profesion. Unë i them gjithmonë njerëzve që ta testojnë veten, pastaj ta vendosin se çfarë kafe duhet të pish dhe sa kafe duhet të pish. I them njerëzve që nëse i merr kaq shumë malli për kafe, pini dekafeinato, e ka aq të vogël masën e kafeinës sa nuk merret fare parasysh.

Cilat janë oraret më të mira për të pirë kafe, përveç mëngjesit?

Përveç mëngjesit, nuk sugjerohet të pini kafe mbasdite. Pasi efekti i kafeinës zgjat disa orë në organizëm dhe nëse nuk do që të rrish pa gjumë, ose të të prishet gjumi natën, më mirë mos ta pish pasdite vonë. Unë sugjeroj në mëngjes, në drekë maksimumi, pastaj stop aty.