Lyerja e flokëve është një nga ritualet më të zakonshme të bukurisë, por shumë gra (dhe jo vetëm) pyesin veten: a po i dëmtoj flokët duke i lyer shpesh? Specialistët e kujdesit të flokëve thonë se përgjigjja varet nga disa faktorë kyç, si lloji i bojës, gjendja e flokut dhe kujdesi pas lyerjes.
Sipas ekspertëve, bojërat permanente që përmbajnë kimikate të forta nuk duhet të përdoren më shpesh se një herë në 4–6 javë.
Ky interval është i domosdoshëm për t’i dhënë kohë flokut të rikuperohet dhe për të shmangur tharjen, thyerjen apo rënien e tij.
Nga ana tjetër, bojërat pa amoniak dhe ngjyrat gjysmë-permanente konsiderohen më të buta për strukturën e flokut.
Ato mund të përdoren më shpesh, zakonisht çdo 3–4 javë, sidomos nëse flokët janë të shëndetshëm dhe të mirëmbajtur.
Parukierët theksojnë se lyerja e shpeshtë duhet të shoqërohet patjetër me kujdes shtesë. Maskat hidratuese, vajrat ushqyes dhe produktet mbrojtëse nga nxehtësia janë thelbësore për të ruajtur elasticitetin dhe shkëlqimin e flokëve.
Në rast se flokët janë të dehidratuar, të djegur ose kanë rënie të shtuar, rekomandohet një pauzë nga bojërat.
Lyerja e flokëve nuk është e ndaluar, por duhet bërë me masë dhe kujdes të shtuar. Respektimi i intervaleve të duhura dhe përdorimi i produkteve cilësore janë sekreti për flokë të bukur, të fortë dhe të shëndetshëm, ashtu siç i dëshirojmë të gjithë.