Sport

Sa shumë surpriza dhe vetëm 5 gola të shënuar, ja të gjitha rezultatet e javës së parafundit të Superiores

Kategoria Superiore luajti sot javën e parafundit të saj, me ndeshje të cilat prodhuan në total vetëm 5 gola. Spikasin fitoret e arta të Bylisit, Teutës dhe Laçit, ndërkohë që dueli mes Elbasanit dhe Vllaznisë dhe Egnatia-Skënderbeu u mbyllën pa fitues.

Duket se verdiktet përfundimtare do të mësohen javën e fundit, teksa Teuta tashmë ka shpëtuar edhe matematikisht sezonin, pas triumfit në kryeqytet.

Në ‘Arenën Kombëtare’ Tirana vendase humbi 0-1 me Teutën dhe komplikon llogaritë për mbijetesën. Klubi më i titulluar në Shqipëri ndodhet në vendin e parafundit me 36 pikë dhe javën e ardhshme luan kundër Dinamos. Në kryeqytet vendosi goli i një ish-i si Mario Beshiraj.

Në Ballsh, Bylisi mposhti 1-0 Partizanin duke i nxjerrë ‘Demat’ nga zona e ‘Final 4’. Djemtë vendas morën tri pikë me vlerë në garën e mbijetesës. Ndërkohë, AF Elbasani barazoi 1-1 me Vllazninë dhe me këtë pikë AF Elbasani ndodhet për momentin në vendin e katërt, teksa java e fundit sheh ‘finalen’ me Partizanin. Do jetë përballja direkte mes tyre që do përcaktojë skuadrën e katërt që do garojë për trofeun.

Në Laç vendasit e shumë problemeve mposhtën 1-0 Dinamon me golin e Cordeiros. Ndërkohë që në Rrogozhinë Egnatia dhe Skënderbeu barazuan pa gola.

Sa i takon renditjes, Egnatia ka siguruar vendin e parë, ndërsa në ‘Final 4’ një biletë ka edhe për Vllazninë dhe Dinamon. Sa i takon zonës së ftohtë, Teuta ka shmangur rënien direkte, teksa garë për mbijetesën në javën e fundit do kenë Bylis, Skënderbeu, Tirana dhe Laçi.

LEXO EDHE: FSHF vendosi të mos marrë pjesë në Asamblenë e KOKSH, Federata Shqiptare e Sportit Universitar: Mbështesim këtë qëndrim!

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA 35

BYLIS 1–0 PARTIZANI

EGNATIA 0–0 SKËNDERBEU

TIRANA 0–1 TEUTA

LAÇI 1–0 DINAMO

ELBASANI 1–1 VLLAZNIA

Renditja e Kategorisë Superiore ka pësuar ndryshime të rëndësishme para javës së fundit të saj, falë rezultateve të ndeshjeve të javës së 35-të.

Ajo që bie në sy në pejsën e sipërme të klasifikimit është ndryshimi i vendeve mes Vllaznisë dhe Dinamos, si dhe i Elbasanit me Partizanin, pasi tani janë verdheblutë që ngjiten të katërtit në zonën e katërshes që lufton për titullin.

Gjithçka është e hapur në Superiore dhe do të vendoset në javën e fundit. Nga vendi i parë dhe deri te i fundit mund të ketë rotacion.

Të pesta ndeshjet e javës së 36-të do të luhen të dielën e ardhshme. Kështu më 27 prill do të ndahen verdiktet.

Derbi Dinamo-Tirana dhe sfida mes Partizanit dhe Elbasanit janë ndër duelet më interesante. Sigurisht që një tjetër ndeshje, Skënderbeu-Bylis, do të ketë vëmendjen e të gjithëve.

JAVA E 36 E SUPERIORES

E diel, ora 15:30

Vllaznia – Laçi

Dinamo – Tirana

Teuta – Egnatia

Skënderbeu – Bylis

Partizani — Elbasani