Gossip Showbiz

Sabrina Carpenter nën kritikë për tekstin e ri? Organizata bamirëse akuzon banalizim të PTSD?

Këngëtarja e njohur amerikane, Sabrina Carpenter, është përfshirë në një debat të gjerë publik pas lançimit të këngës së saj të re “Nobody’s Son” nga albumi “Man’s Best Friend”.

Organizata bamirëse ‘PTSD UK’ e ka kritikuar artisten për mënyrën se si trajton në tekst çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD), duke e cilësuar si banalizim dhe keqinterpretim të një gjendjeje serioze mendore që prek miliona njerëz në botë.

Një frazë nga kënga është bërë menjëherë virale në TikTok dhe rrjetet e tjera sociale, duke shkaktuar reagime të shumta nga fansat, ekspertët dhe organizatat e shëndetit mendor.

Shumë përdorues kanë vënë në dukje se përdorimi i termit në këngë e shndërron një çrregullim serioz në një shprehje të pavend dhe jo të ndjeshme.

Në reagimin e saj zyrtar, ‘PTSD UK’ publikoi një letër të hapur drejtuar Carpenter-it dhe shtëpisë së saj diskografike, ku theksoi se fraza “merr PTSD çdo ditë” është e pasaktë nga ana mjekësore dhe krijon perceptime të gabuara për këtë sëmundje.

Organizata shtoi se përdorimi i gabuar i termave të shëndetit mendor në kulturën pop kontribuon në stigmatizimin e personave që vuajnë realisht prej tyre.

Edhe pse disa mund të argumentojnë se vargu është një metaforë për dhimbjen emocionale, organizata thekson rëndësinë që artistët të jenë të vetëdijshëm për ndikimin që kanë fjalët e tyre.

Deri më tani, Sabrina Carpenter nuk ka reaguar publikisht ndaj kritikave, ndërsa debati në rrjetet sociale vazhdon të zgjerohet.