Barry Keoghan ka folur për herë të parë hapur mbi thashethemet që e ndoqën për tradhti gjatë lidhjes me Sabrina Carpenter, duke lënë të kuptohet se kjo situatë ndikoi edhe në largimin e tij nga vëmendja publike.
Në episodin më të fundit të podcast-it “Friends Keep Secrets”, të drejtuar nga Benny Blanco, ku ishin të ftuar edhe Lil Dicky dhe Kristin Batalucco, aktori irlandez komentoi për herë të parë situatën që pasoi ndarjen nga këngëtarja në fund të vitit 2024.
Keoghan u shpreh se për një kohë të gjatë zgjodhi të qëndronte në heshtje përballë një narrative që, sipas tij, nuk ishte e vërtetë, por që u përhap gjerësisht në media dhe rrjete sociale.
Nuk u konfirmua kurrë nga unë, por unë thjesht u zhduka
-tha ai, duke lënë të kuptohet se presioni publik e shtyu të tërhiqej nga qendra e vëmendjes.
Kur u pyet drejtpërdrejt për akuzat e tradhtisë, Barry Keoghan i mohoi ato, duke i quajtur të pavërteta.
Ai shtoi se nuk dëshiron të përfshijë persona të tjerë në këtë histori dhe se marrëdhëniet nën syrin e publikut bëhen shumë më të vështira, pasi çdo detaj mund të interpretohet gabim.
Deklaratat e tij kanë rindezur debatet online për ndarjen me Sabrina Carpenter dhe për presionin që fama ushtron mbi jetën private të personazheve publikë.