Art & Kulturë Music

Sal Da Vinci fiton Sanremon, triumfon me këngën “Per sempre sì”!

Sal Da Vinci u shpall fitues i Sanremo 2026 me këngën “Per sempre sì”. Artisti me rrënjë napoletane pushtoi zemrat e publikut me një baladë klasike italiane plot emocion dhe elegancë.

Pas pesë netësh plot emocion, muzikë dhe spektakël, Festivali i 76-të i Këngës Italiane njohu Da Vinci-n si fituesin e këtij edicioni.

Në natën finale u ngjitën në skenë 30 artistë për të performuar. Pas kombinimit të votave nga netët e para dhe performancës finale, Sal Da Vinci triumfoi me këngën “Per sempre sì”, duke lënë pas Sayf – Tu mi piaci tanto, Ditonellapiaga – Che fastidio, Arisa – Magica favola, Fedez&Marco Masini – Male necessario.

Sal Da Vinci (Salvatore Michael Sorrentino), 56 vjeç, me origjinë nga Napoli (por lindur në Nju Jork), ka një karrierë të gjatë në muzikën napoletane dhe italiane.

Më herët ka marrë pjesë në Sanremo në vitin 2009 kur zuri edhe vendin e tretë, ndërsa dje u kthye si triumfues.

Kënga “Per sempre sì” është shkruar nga një ekip autorësh dhe shënon një kthim triumfues në skenën më të madhe italiane.

Në natën e fundit, skena u ndriçua nga performanca e paharrueshme e Andrea Bocelli-t, i cili këndoi “Il mare calmo della sera” (fituese në Nuove Proposte 1994) dhe klasiken “Con te partirò”.

Në Suzuki Stage, Pooh sollën nostalgji me “Uomini soli”, ndërsa Max Pezzali mbylli javën me hitet e 883-s: “Come mai” dhe “Nessun rimpianto”.

Ndërkaq, Carlo Conti, i cili drejtoi festivalin për dy vite radhazi bëri të ditur se nuk do të kthehet më si prezantues dhe drejtor artistik.

Pasardhësi i tij për Sanremo 2027 do të jetë Stefano De Martino, i cili do të marrë rolin e prezantuesit dhe drejtorit artistik.