Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, zhvilloi sot një takim me intelektualë në Tiranë, ku u ndal te situata politike dhe funksionimi i demokracisë në vend. Salianji ka renditur premtimet e pa mbajtura të lidershipit të PD Sali Berisha. Ai u shpreh se Berisha nuk mundet ose nuk do që të mbledhë të gjitha flukset e opozitës, ndërsa ka shtuar se shumë nga fjalët e dhëna nga ai nuk janë mbajtur, duke nisur me kthimin e PD në pushtet apo largimin nga drejtimi i partisë edhe pse një gjë e tillë parashikohet në Statut.
“Jam në politikë dhe jam pjesë e një partie politike. Çelim një cikël tryezash dhe për të treguar që kreu i PD nuk ka mundësinë të mbledhë të gjithë flukset e opozitës, në disa raste nuk do, në disa raste i ka zhgënjyer. Sepse në politike ndaj janë mandatet për të mbajtur përgjegjësi në fund të 4 viteve për ato që thua.
Nëse para 4 viteve thua nuk do të m’i vjedhë zgjedhjet Rama, që do ta bëj PD fituese në zgjedhjet lokale, do ta tërheq Ramën zvarrë në zgjedhjet e përgjithshme, që do të rregulloj mardhëniet me ndërkombëtarët, që deputetët do t’i zgjedhë anëtarësia dhe jo lidershipi. Ka edhe një element tjetër, që kur dikush jep fjalën duhet mbajtur. Nëse thuhet që partia në nenin 46 nuk thotë mu vodhën zgjedhjet, neni 46 e ka të përcaktuar se nëse PD nuk fiton zgjedhjet, kreut të PD i hiqet mandati dhe nuk ka të drejtë rikandidimi. Është tashmë rregull i shkruar jo rregull koral”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Salianji theksoi rëndësinë e respektimit të rregullave nga partitë politike, duke paralajmëruar se mungesa e tyre cenon vetë demokracinë.
“Pa parti që u nënshtrohen rregullave nuk kemi më demokraci. Sot nuk hiqet as dorëheqja si akt sublim. Politika duket sikur ka qëllim jo pjesëmarrjen e intelektualëve dhe qytetarëve, por dekurajim për të mos marrë pjesë në procese. Duket sikur debati real mbi ekonominë ose administratën publike nuk ekziston. Duket sikur zërat që reagojnë janë të çuditshëm, kur duhet të ishte e kundërta”, u shpreh aiSalianji ngriti shqetësimin për mungesën e zgjedhjeve reale si brenda partive politike, ashtu edhe për qytetarët në përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Mungesë zgjedhjesh reale si në PS, si në PD, mungesë zgjedhjesh reale të qytetarëve të përfaqësuesve të tyre, pasi kemi një sistem ku zgjedhin më shumë krerët e partive”, tha ai.
Në vijim, ai u ndal edhe te roli i SPAK, duke theksuar se ky institucion ka hapur rrugën për një pjesëmarrje të re politike përmes goditjes së korrupsionit në nivele të larta.
“SPAK hapi rrugën për një pjesëmarrje të re politike duke goditur rëndë korrupsionin, që po sjell një ndryshim gradual. Por është në një sulm të vazhdueshëm nga të gjitha palët politike. Duhet t’i jepet ajo që i takon, pasi po u reziston presioneve,” përfundoi Salianji.