Në fillim të samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Bruksel, presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova ka shënuar progres në reforma si sundimi i ligjit dhe ekonomia përgjatë viteve të fundit, por Unioni nuk e ka vlerësuar këtë përparim.
Sidoqoftë, ajo thekson se Kosova nuk do të heqë dorë nga qëllimi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, pavarësisht vështirësisë që mbart ky objektiv.
“Nuk do të heqim dorë nga rrugëtimi në BE pavarësisht sa i vështirë do të jetë. Vendi ka pasur përparime në reforma si sundimi i ligjit dhe ekonomia, por fatkeqësisht nuk është përkthyer në hapa përpara drejt BE-së. Shpresojmë se me kalimin e kohës të gjitha vendet anëtare do e kuptojnë se anëtarësimi i Kosovës përmes një procesi të merituar, është diçka edhe në përfitim të BE-së”,- tha Osmani.
Samiti pritet të fokusohet në gjetjet më të fundit të Paketës së Zgjerimit 2025, me Malin e Zi dhe Shqipërinë në krye referuar arritjeve drejt anëtarësimit. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh do të zërë po ashtu vend qendror, i konsideruar gjerësisht në Bruksel si një nga mjetet më efektive për afrimin e rajonit me BE-në, si ekonomikisht ashtu edhe në aspektin e reformave.
Ky samit do t’i japë një dorë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ku pjesë e diskutimeve pritet të bëhet dhe bllokimi i negociatave për Maqedoninë e Veriut për shkak të një mosmarrëveshje dypalëshe me Bullgarinë.
Gjithashtu për diskutim pritet të jetë dhe situata politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, prapambetja demokratike në Serbi si dhe Kosova, e cila brenda vitit shkon 2 herë në zgjedhje të përgjithshme.
Ky samit është zhvilluar në vitin 2022 në Tiranë. Liderët e BE-së dhe ato të Ballkanit Perëndimor do të takohen përsëri vitin e ardhshëm më 1 qershor në samitin BE–Ballkani Perëndimor 2026, që do të zhvillohet për të dytën herë në Malin e Zi.