Aktualitet

Samiti i Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!

Kryeministri Edi Rama merr pjesë në Samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, që zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Përmes një postimi në rrjetet sociale, shefi i qeverisë bëri të ditur nisjen e këtij samiti që zhvillohet “nën kujdesin e veçantë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, një mik i madh i Shqipërisë”.

Po në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi, kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Zayed” të iniciativave humanitare që kanë dhënë për ata qe kontribuojnë në vendet në zhvillim.

Çmimet u akorduan për projekte dhe organizata që kanë punuar lidhur me përmirësimin e arsimit dhe shkollimit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbështetjen e ushqimit për komunitetet në nevojë si dhe për nisma që adresojnë ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ky forum global, i mbështetur nga Emiratet dhe kompania lider në energjinë e pastër Masdar, synon të adresojë sfidat më urgjente të qëndrueshmërisë në botë.

Gjatë eventit, vendet pjesëmarrëse do të zhvillojnë diskutime të përbashkëta për të përshpejtuar zhvillimin e përgjegjshëm dhe për të nxitur përparimin gjithëpërfshirës ekonomik, social dhe mjedisor.

Gjatë kësaj vizite pritet të diskutohen projekte të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, me theks të veçantë tek energji e pastër, investimet strategjikedhe nismat që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm.