“Dështimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të agresionit në Ukrainë, nuk do të thotë neutralitet, por mbështetje për Moskën”. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, i dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
I pyetur se si e sheh situatën në Bosnje, në kontekstin e pushtimit të Ukrainës dhe tensioneve që ka shkaktuar lideri serb i Bosnjes, Milorad Dodik, me kërcënimet për ndarjen e Republikës Sërpska, Sarrazin thotë:
Vizita e ministres së Jashtme Annalena Baerbock në Bosnje dhe Hercegovinë tregoi se Qeveria federale gjermane ka një fokus të fuqishëm në atë vend. Gjermania po e ndjek nga afër situatën aktuale. Për shkak të luftës ruse në Ukrainë, Gjermania dhe Bashkimi Evropian do t’iu kushtojnë vëmendje edhe më të madhe zhvillimeve në Bosnje. Jemi të vetëdijshëm se shumë njerëz në Bosnje, sidomos tani kërkojnë angazhim e përkushtim më të madh të Gjermanisë për sigurinë në rajon.
Në dhjetor të vitit të kaluar, qeveria e re gjermane i bëri thirrje BE-së që të vendosë sanksione ndaj Dodikut, për shkak të tërheqjes së Republikës Sërpska nga forcat e armatosura, gjyqësori dhe sistemi tatimor i Bosnjes. Më 5 janar, Departamenti Amerikan i Thesarit publikoi një listë të zgjeruar sanksionesh për vepra të korrupsionit, në të cilën përfshihet edhe Dodik. Duke komentuar faktin që Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, Sarrazin thotë se “harmonizimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në për këtë çështje është vendimtar”.
Në mjedisin e politikës së jashtme, siç është tani, shteti nuk mund të jetë i suksesshëm duke “u ngatërruar” ose luajtur bixhoz. Tani, situata është ndryshe nga ajo që ka qenë më parë. Në kohën e luftës ruse në Ukrainë, Evropa duhet të mbetet e bashkuar, ndaj përafrimi i politikës së jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në për këtë çështje është i një rëndësie vendimtare, përfshirë sanksionet. Ne mirëpresim faktin që shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë bërë tashmë këtë. Por, presim që edhe Serbia të bëjë të njëjtën gjë.