Ajo që pritej të ishte një ditë plot romantikë dhe emocion, mori një kthesë të papritur në rrjetet sociale. Selena Gomez, e cila së fundmi kurorëzoi dashurinë me producentin Benny Blanco, është vënë në qendër të vëmendjes pasi në videot nga prapaskenat e dasmës u pa me një cigare elektronike në dorë.
Në klipet që këngëtarja publikoi në Instagram, ajo shfaqet përpara pasqyrës duke u përgatitur për ceremoninë, në prani të mikeshës së saj të ngushtë, Taylor Swift. Por fansat vunë re një detaj që nuk u shpëtoi kamerave: në një moment, Selena duket se përpiqet ta fshehë me nxitim pajisjen nga dora sapo kupton se po filmohet.
Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjet, duke ndezur debat mes ndjekësve. Disa e kritikuan duke e quajtur “të papërshtatshme” për një nuse në ditën e saj të madhe, ndërsa të tjerë e mbrojtën, duke theksuar se “edhe të famshmit kanë të drejtë të jenë njerëzorë”.
Vetë Selena nuk ka bërë ende asnjë reagim publik, ndërsa mbetet e paqartë nëse bëhej fjalë për një cigare elektronike apo një pajisje tjetër.
Një gjë është e sigurt — dita e saj e dasmës nuk do të mbahet mend vetëm për momentet e dashurisë, por edhe për debatet që nxiti një detaj i vogël që askush nuk priste.